“Rama është vetë ANTIFA”, Artan Hoxha shpërthen ndaj kryeministrit
Gazetari Artan Hoxha ka bërë një analizë të ashpër të protestave në Tiranë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si kryeministri Edi Rama po i interpreton zhvillimet dhe pretendimet për përfshirjen e forcave të huaja apo grupeve ekstremiste.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha argumentoi se protesta në Shqipëri ka një objektiv politik të drejtpërdrejtë dhe se përpjekjet për ta lidhur atë me lëvizje të huaja rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga kërkesat e qytetarëve.
“Atje kanë dalë për kushtet, këtu kanë dalë për të hequr kryeministrin”, u shpreh gazetari, duke bërë dallimin mes protestave në vende të tjera dhe revoltës që po zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.
Sipas Hoxhës, në vend që të përqendrohet te arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë, Rama po përpiqet ta paraqesë protestën si rezultat të ndikimeve të jashtme.
Hoxha ironizon Ramën: “Kur vijnë protestuesit, ia fut vrapit”
Gazetari komentoi edhe mënyrën se si kryeministri po komunikon përmes rrjeteve sociale, duke pretenduar se protestuesit kanë arritur të marrin vëmendjen publike, pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të dominuar hapësirën digjitale.
“Protestuesit e kanë marrë vëmendjen, e kanë mundur algoritmin e kryeministrit. Reels-et e tyre janë më të ndjekurat”, deklaroi Hoxha.
Ai ironizoi gjithashtu daljet publike të kreut të qeverisë, duke e akuzuar se shmang përballjen e drejtpërdrejtë me protestuesit.
“Kryeministri çohet në mëngjes dhe bën video, kur vijnë protestuesit, ia fut vrapit”, tha gazetari.
Hoxha u ndal edhe te përplasjet mes protestuesve dhe policisë, duke vënë në dukje se forcat e rendit po përpiqen të identifikojnë pjesëmarrësit, ndërsa protestuesit po ndryshojnë mënyrën e organizimit.
Në këtë kontekst, ai kritikoi edhe përdorimin e mjeteve me ujë me presion për shpërndarjen e turmës, duke ngritur pikëpyetje mbi fondet e shpenzuara për këto pajisje dhe prioritetet e qeverisë në trajtimin financiar të efektivëve.
“Qeveria nuk i ka kursyer lekët për këtë gjë. Për rritjen e rrogave të policëve nuk e ka bërë”, u shpreh ai.
Kritika për pedagogët: Duhej të kishin dalë më herët në protestë
Një pjesë e rëndësishme e analizës së Hoxhës iu kushtua edhe angazhimit të pedagogëve në protestë. Sipas tij, reagimi i tyre duhej të kishte ardhur shumë më herët, duke pasur parasysh problemet që prekin arsimin dhe kushtet në të cilat studiojnë të rinjtë.
“Daljen e pedagogëve duhet ta kishin bërë më parë. Edhe ata janë bashkëvuajtës të sistemit. Dhomat e konvikteve janë më keq se kur kemi qenë studentë”, deklaroi gazetari.
Ai kritikoi gjendjen e konvikteve dhe mungesën e zgjidhjeve të mjaftueshme për problematikat e studentëve, duke ngritur pikëpyetjen se kur qeveria do t’u kushtojë vëmendjen e nevojshme kushteve të tyre.
“Jemi te mandati i katërt: kur do të kthejë kokën nga studentët?”, pyeti Hoxha.
Gazetari solli në vëmendje edhe problematikat e arsimit parauniversitar dhe mungesën e mësuesve, duke theksuar shqetësimin për pasojat që këto probleme kanë te brezi i ri.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e të miturve në protestë dhe për situatat e dhunës me të cilat janë përballur disa prej tyre.
“Rama është vetë ANTIFA”, thumbimi ndaj pretendimeve për ekstremizëm
Duke iu kthyer pretendimeve për përfshirjen e grupeve ekstremiste në protestë, Hoxha i kundërshtoi ato me një gjuhë të fortë ironike.
“Ata që janë në protestë nuk i përdor ANTIFA, as terroristët. Sipas kryeministrit, mbrapa fshihet një forcë madhore, por kjo nuk ka të bëjë me realitetin”, deklaroi gazetari.
Në vijim, ai përdori një tjetër thumbim ndaj Ramës, duke ironizuar idenë se pas protestave qëndrojnë lëvizje të huaja që synojnë rrëzimin e kryeministrit.
“Rama është vetë ANTIFA, është derr në thes aty brenda. Tani, papritur, ANTIFA do të rrëzojë liderin global”, u shpreh Hoxha.
Deklaratat e gazetarit e vendosin theksin te përgjegjësia e qeverisë për pakënaqësitë që po shprehen në rrugë, gjendja e arsimit dhe mënyra se si po menaxhohen protestat.
Në thelb të kritikave të tij qëndron ideja se debati për ndikimet e mundshme të jashtme nuk duhet të zëvendësojë përballjen me kërkesat e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshim politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



