Protestat antiqeveritare në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave të njohura amerikane.
New York Post dhe agjencia e lajmeve Associated Press i kanë kushtuar artikuj përplasjeve në Tiranë, ku për të tetën ditë radhazi protestuesit janë përballur me policinë, ndërsa kërkesat për ndryshime në arsim dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë bërë pjesë e pakënaqësisë më të gjerë qytetare.
Sipas raportimeve, studentët dhe gjimnazistët kërkojnë uljen e tarifave universitare, rritjen e investimeve publike në arsim dhe luftën kundër korrupsionit në sistemin arsimor. Këtyre kërkesave u është bashkuar edhe thirrja e protestuesve për dorëheqjen e Ramës, në një klimë pakënaqësie që lidhet edhe me rritjen e kostos së jetesës, problemet me strehimin dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Të dyja mediat raportojnë për përplasjet e dhunshme në qendër të Tiranës, ku protestuesit kanë hedhur gurë, flakadanë, bomba molotov dhe fishekzjarrë, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome. Pamjet e përplasjeve dhe vazhdimësia e protestave kanë sjellë në vëmendje ndërkombëtare tensionet mes demonstruesve dhe autoriteteve shqiptare.
Artikujt pasqyrojnë gjithashtu qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i ka dënuar aktet e dhunës dhe ka pretenduar se shqetësimet e qytetarëve po shfrytëzohen nga persona që synojnë të ndryshojnë pushtetin përmes forcës. Sipas Associated Press, Rama i ka përshkruar zhvillimet si një përpjekje për të rrëzuar qeverinë përmes dhunës, ndërsa ka akuzuar protestuesit për krijimin e një klime terrori në kryeqytet.
Në raportimet e tyre, mediat amerikane rikujtojnë edhe protestat e zhvilluara muajt e fundit kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, të lidhur me një kompani investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Përtej përplasjeve në rrugët e Tiranës, në qendër të zhvillimeve mbeten kërkesat për arsim më të përballueshëm, luftë kundër korrupsionit dhe përgjegjshmëri politike, si dhe dorëheqja e qeverisë Rama.












