I dërguari amerikan Steve Witkoff ka mbërritur në Shën Petersburg për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i përshkroi si "pozitive" me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita vjen në një kohë përpjekjesh për të zbutur tensionet midis presidentit amerikan Donald Trump dhe Zelenskyt, lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.


Pas bisedimeve me Witkoff në Oslo, të martën Zelensky falënderoi Uashingtonin për rifillimin e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës mbi sulmet ruse.

"Jemi mirënjohës që inteligjenca funksionon", u tha Zelensky gazetarëve në Oslo, duke i përshkruar paralajmërimet e hershme si "shumë, shumë të rëndësishme për popullin tonë, për fëmijët, të rriturit, civilët" në momentet kur raketat balistike ishin gati të godisnin.

Bisedimet e fundit vijnë pas disa ditësh tensionesh midis Kievit dhe Uashingtonit.

Zelensky dhe Trump kanë pasur një marrëdhënie të paqëndrueshme që kur presidenti amerikan nisi mandatin e tij të dytë në janar të vitit të kaluar; megjithatë, marrëdhënia është përkeqësuar më tej javët e fundit, pasi Trump arriti një marrëveshje për naftën (dizelin) me Putinin dhe kritikoi ndikimin që sulmet ukrainase ndaj sektorit energjetik rus kanë pasur në çmimet globale të karburanteve.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, Trump përsëriti thirrjet që Zelensky të "arrijë një marrëveshje" me Rusinë, ndërsa Moska intensifikon sulmet ndaj Ukrainës në prag të dimrit.

Ndërkohë, Zelensky ka akuzuar Uashingtonin se po vonon dërgesat e raketave përgjuese, për të cilat vendet evropiane kanë paguar tashmë; sipas raportimeve, disa prej këtyre dërgesave janë në pritje të miratimit nga ana e SHBA-së.

Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se Kievi duhet të përfshihet në çdo negociatë që ka të bëjë me të ardhmen e tij.

"Nëse ka çështje që lidhen me Ukrainën, me të ardhmen tonë, kjo mund të jetë e pranueshme vetëm kur ne të jemi në tryezën e negociatave", tha Zelensky të martën. /Telegrafi/