Ky është Ismet Habili, 46-vjeçari me origjinë nga Kavaja, i cili u gjet pa shenja jete mbrëmjen e djeshme brenda automjetit të tij tip “Volvo”, në zonën e Vasil Shantos në Tiranë. Sipas njoftimit të dytë të Policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e vetëvrasjes me armë zjarri.
Brenda automjetit u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë dhe një gëzhojë. Ndërkohë, në tavanin e makinës u konstatua një shenjë plumbi, ndërsa 46-vjeçari kishte marrë një plagë në kokë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja shkaktoi tronditje mbrëmjen e djeshme, ndërsa një nga momentet më prekëse ishte mbërritja e djalit të viktimës në vendngjarje. I tronditur, ai kërkonte të takonte të atin, duke thënë: “Ku është baba im?”. Fillimisht, mungesa e raportimeve për të shtëna në zonë ngriti dyshime për një vrasje, por hetimet paraprake orientuan policinë drejt pistës së vetëvrasjes.