Qeveria italiane ka miratuar masa të reja sigurie pas protestave të dhunshme në Milano, ku gjatë fundjavës u plaçkitën dyqane, u dëmtuan prona dhe u plagosën më shumë se 100 efektivë policie. Paketa e re parashikon dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në qytet deri në fund të vitit dhe ndëshkime më të ashpra për personat e përfshirë në akte dhune.

Sipas mediave të huaja dekreti parashikon që prindërit të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre të mitur, ndërsa personat mbi 14 vjeç do të mund të ndiqen penalisht më lehtë. Gjithashtu, pjesëmarrja e dhunshme në protesta do të dënohet me deri në pesë vjet burg dhe gjobë deri në 20 mijë euro, me masa më të rënda në rastet kur protestuesit mbulojnë fytyrën ose plagosin persona të tjerë.

Kryeministrja Giorgia Meloni i cilësoi shqetësuese pamjet e dhunës, veçanërisht përfshirjen e të rinjve në plaçkitje dhe shkatërrime. Ajo njoftoi gjithashtu shtimin e vendeve në qendrat e paraburgimit dhe të gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë për të miturit.

Sipas policisë së Milanos, rreth 2 mijë të rinj morën pjesë në trazirat e së shtunës në mbrëmje. Nga rreth 50 personat e arrestuar gjatë fundjavës, më shumë se 30 ishin të mitur. Dekreti duhet të miratohet nga parlamenti italian brenda 60 ditësh për t'u kthyer në ligj.