Shqetësim i madh te Paris Saint-Germain për gjendjen fizike të Khvicha Kvaratskhelias. Ylli gjeorgjian u dëmtua në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes ndaj Barcelonës, duke ngritur dyshimet për një dëmtim serioz në gju.
Momenti shqetësues ndodhi pas një dueli në fushën e lojës, kur Kvaratskhelia u rrëzua në tokë, me dyshimet e para që lidhen me një përdredhje jo të natyrshme të gjurit.
Sulmuesi i PSG-së nuk ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen dhe u detyrua të largohej nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor të klubit francez. Pamjet e momentit shkaktuan shqetësim të madh, si në radhët e parisienëve, ashtu edhe te tifozët.
Frika kryesore lidhet me një dëmtim të mundshëm të ligamentit të kryqëzuar, një dëmtim që mund ta mbajë futbollistin për një periudhë të gjatë jashtë fushave.
Megjithatë, në këtë fazë nuk ka ende një konfirmim zyrtar për shkallën e dëmtimit. Ekzaminimet mjekësore do të përcaktojnë natyrën e saktë të dëmtimit dhe kohën e mundshme të rikuperimit.
