Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka akuzuar Serbinë se po e shfrytëzon Këshillin e Sigurimit të OKB-së për qëllime politike dhe për të paraqitur veprimet e institucioneve të Kosovës si përpjekje për frikësimin dhe largimin e serbëve nga vendi.
Në fund të diskutimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konjufca tha se Kosova është shtet shumëetnik dhe sekular, ndërsa theksoi se institucionet e saj veprojnë në bazë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Është për të ardhur keq që Serbia vazhdimisht e shfrytëzon edhe këtë platformë për të bërë fushatë për qëllime politike. I kanë zgjedhjet më 25 tetor, të dielen e ardhshme, edhe e kuptoj plotësisht Ministrin Gjuriç pse e përdor një diskurs të tillë. Mirëpo do të sqaroj disa gjëra për këtë”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se harmonia fetare është një nga tiparet e shoqërisë kosovare, duke akuzuar Serbinë për shfrytëzimin e kishës për ndarje etnike dhe nacionaliste.
“Kosova është shtet shumëetnik, sekular, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tonë. Ata që ne kemi prejardhje katolike, myslimane dhe ortodokse, dhe si një shtet mund të jetë ekstremist në aspektin fetar, kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente të re, e cila vjen nga feja katolike. Mirëpo Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës së saj për ndarje etnike dhe nacionaliste, e fabrikajnë incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike. E ka bërë këtë edhe në vitet ’90-ta dhe vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite”, tha ai.
Konjufca foli edhe për krimet e luftës në Kosovë, duke përmendur Masakrën e Mejës. “Gjatë luftës, një numër i madh i viktimave civile ishin shqiptarë katolikë, të vrarë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Masakra jonë më e madhe në vitin 1999 ishte Masakra e Mejës. Kemi quajtur Srebrenica jonë sepse është masakra më e madhe nga të gjitha. 377 persona janë vrarë, shumica nga ta shqiptarë nga popullata katolike me fe. Kjo është kur flasim për atë se sa Serbia e mbron krishtërimin në botë”, u shpreh Konjufca.
Ai i cilësoi pretendimet e Serbisë për veprimet e institucioneve të Kosovës si pjesë të asaj që e quajti luftë hibride, shkruam RTK.
“Prandaj duhet ta interpretojmë retorikën e Serbisë dhe taktikat politike në këtë kontekst. Kjo është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rreme fetare”, deklaroi ai.
Konjufca tha se institucionet e Kosovës i trajtojnë rastet në bazë të procedurave ligjore, pavarësisht përkatësisë etnike, duke përmendur hetimet për krime lufte, spiunazh dhe uzurpim të pronës.
“E ndryshme nga Serbia, e cila ka një traditë të gjatë të diskriminimit etnik, Qeveria e Kosovës e bën punën e vet në bazë të procedurave dhe parimeve të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike. Agjencitë tona ligjzbatuese, gjykatat dhe organet profesionale i trajtojnë të gjitha rastet e krimeve të luftës te hetimet e tyre, por gjithashtu rastet e espionazhit dhe gjithashtu edhe uzurpimin e pronës në mënyrë të paligjshme, nuk bëjmë ndjekje dhe nuk arrestojmë asnjë kapele pa pasur prova dhe pa pasur hetime të duhura”, tha ai.
Duke folur për pronat publike në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe strukturat e paligjshme, Konjufca tha se masat e ndërmarra nga institucionet synojnë mbrojtjen e burimeve ujore dhe aseteve publike.
“Masat që kanë të bëjnë me pronat publike të Ujmanit dhe strukturat e paligjshme janë hequr për të mbrojtur burimet strategjike ujore, për të ruajtur asetet publike dhe për të siguruar menaxhimin e tyre të qëndrueshëm. Gjithashtu masat e qeverisë duhet të vlerësohen në kontekst të përpjekjeve të saj institucionale për të siguruar sundim të ligjit, siguri publike, mbrojtje të standardeve ligjore në mënyrë të barabartë dhe qasje të të gjitha komuniteteve në shërbime publike”, deklaroi Konjufca.
Ai përmendi edhe rrënimin e objekteve në zonat e liqeneve të Ujmanit dhe Radoniqit. “Për shembull, 17 prona janë rrënuar në Liqenin e Ujmanit, shtëpizat e vikendit, që është në veriun e Kosovës, ndërsa 5 ndërtesa të tjera të njëjta janë rrëzuar në janë rrënuar në Liqenin e Radoniçit. Kjo do të thotë që po zbatojmë sundimin e ligjit sepse Kosova është shtet demokratik dhe i mbron të gjitha këtij zona nga ndërtimet e paligjshme dhe objektet e paligjshme”, tha ai.
Konjufca kundërshtoi pretendimet se veprimet e institucioneve të Kosovës synojnë largimin e serbëve nga vendi, duke thënë se aktivitetet e autoriteteve monitorohen nga misionet ndërkombëtare.
“Asnjë shtet në Evropë, ndoshta as në botë, nuk me monitorohet më shumë se Kosova. Ka misione diplomatike, EULEX-i, OSBE-ja, përfaqësuesit e OKB-së dhe diplomatët kanë qasje në të gjitha veprimet që i bëjnë autoritetet e ligjit. Vazhdimisht Serbia është përpjekur që ta portretizojë aktivitetet tona ligjzbatuese si frikësim me qëllim që t’i nxjerrë serbët nga Kosova, më besoni kjo nuk është e vërtetë, kjo është propagandë e pastër”, u shpreh ai.
Sipas Konjufcës, nga 92 rastet e raportuara nga zyra e ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, asnjëra nuk është konstatuar se ka motive etnike të bazuara në fakte.
“Kurse sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, ata do të vlerësohen në bazë të kuadrit ligjor, në bazë të arsyetimit institucional dhe punës së zbatimit të tyre”, tha ai.
Duke folur për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, Konjufca tha se institucionet e Kosovës kanë përfunduar procedurat përkatëse lidhur me dorëheqjet e paraqitura në vitin 2022.
“Gjatë periudhës raportuese, institucionet e Republikës së Kosovës kanë kryer procedurat e nevojshme institucionale për të përfunduar për të finalizuar dorëheqjen vullnetare të grupit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të paraqitur në vitin 2022. Me trajtim me direktivë të Beogradit, gjyqtarët dhe prokurorët e kanë lënë, e kanë braktisur sistemin gjyqësor të Kosovës dhe i janë bashkuar strukturave të paligjshme të Serbisë, kështu që e kanë shkelur lojalitetin ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe kanë vendosur që t’i shërbejnë një shteti tjetër”, deklaroi ai.
Konjufca shtoi se shqetësimet për përbërjen shumëetnike të institucioneve të drejtësisë duhet të shqyrtohen edhe në kontekstin e proceseve të rekrutimit dhe pozitave të rezervuara për komunitetin serb.
“Derisa finalizimi i dorëheqjeve të tyre ka ngritur brenga për ndikimet potenciale në përbërjen shumëetnike të institucioneve të drejtësisë, kjo brengë duhet të shqyrtohet përballë rekrutimit procesit të rekrutimit të vitit 2022, 2023, 2024 për përfshirë edhe pozitat e rezervuara për komunitetin serb. Në janar të vitit 2024 është hapur një konkurs për 28 prokurorë shtetërorë përfshirë katër pozita të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa në vitin 2025 procesi shpresimisht i ka inkurajuar kandidatët nga komunitetet joshumicë që të aplikojnë”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Konjufca iu drejtua ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Đuriç, duke përmendur takimet e tij me Milan Radoiçiç-in, i cili kërkohet nga Interpoli.
“Këto janë të vërtetat dhe kur flasim për të ardhmen, të ardhmen evropiane me të cilën ministri Đurić është i obsesionuar, gjëja e parë është që t’i jap një këshillë atij është që të i lë që të mos takohet me Radoiçiç-in. Fotografitë e tij së bashku me Radoiçiç-in nuk e di se çfarë përmbajnë këtë biseda ndërmjet atyre të dyve, mirëpo ai është person që kërkohet nga Interpoli dhe kur e shohim ministrin e një shteti kandidat që kërkon të integrohet në Bashkimin Evropian i cili takohet me kriminelë të tillë që kërkohen nga Interpoli, nuk e di se për çfarë integrimi evropian dhe për çfarë të ardhme po flasim këtu”, tha Konjufca.