Trump i kërkon Putinit lirimin e amerikanit të dënuar për luftën në Ukrainë: Është koha ta kthejmë

21/10/2026 08:36

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, të lirojë shtetasin amerikan Stephen Hubbard, i dënuar në Rusi për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë në krah të forcave ukrainase.

Trump bëri të ditur se e ka diskutuar gjerësisht çështjen me presidentin rus, duke shprehur shpresën se lirimi i amerikanit mund të realizohet.

“Fola me Presidentin Putin për S. Hubbard. Fola me të gjatë për këtë. I kërkova ta lironte”, deklaroi Trump, duke shtuar: “Është koha ta kthejmë S. Hubbard”.

Stephen James Hubbard, 74 vjeç, u dënua nga një gjykatë ruse në vitin 2024 me gjashtë vjet e 10 muaj burg, pasi u shpall fajtor për pjesëmarrje si mercenar në luftën kundër forcave ruse.

Sipas autoriteteve ruse, Hubbard, me origjinë nga shteti amerikan i Michiganit, ishte paguar 1,000 dollarë në muaj për të shërbyer në një njësi të mbrojtjes territoriale ukrainase në qytetin e Izjumit, ku jetonte që prej vitit 2014.

Autoritetet pretenduan gjithashtu se ai kishte marrë trajnim ushtarak, si dhe armë e municione, pasi dyshohet se iu bashkua njësisë në shkurt të vitit 2022, pak para nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Hubbard u arrestua nga ushtarët rusë më 2 prill 2022. Sipas agjencisë Reuters dhe mediave shtetërore ruse, ai kishte pranuar fajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij. Procesi gjyqësor u zhvillua me dyer të mbyllura.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur çështja e shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi mbetet një nga temat e ndjeshme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur nëse Putin ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete ndaj kërkesës për lirimin e Hubbard.

Top Channel