Elon Musk ka kërkuar kufizimin e përdorimit të rrjetit satelitor ushtarak Starshield në Ukrainë, raportoi të martën The Wall Street Journal, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e teknologjisë së kompanisë SpaceX në mbështetjen ushtarake të Kievit.

Sipas gazetës, Musk ka vendosur të kufizojë shpejtësinë me të cilën pajisjet ukrainase mund të lidhen me sistemin Starshield, duke bërë që disa dronë të përdorur nga Ukraina të mbeten jashtë funksionit. Raporti citon zyrtarë amerikanë të paidentifikuar dhe persona të njohur me çështjen.

Zhvillimi vjen mes deklaratave kontradiktore për përgjegjësinë mbi kufizimet e mundshme të sistemit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Pentagoni nuk kishte urdhëruar asnjë ndryshim në funksionimin e Starshield.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga ana jonë. Ne nuk kemi lëshuar ndonjë direktivë apo diçka të tillë”, tha Hegseth.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, mohoi të premten se kishte kërkuar kufizime për rrjetin satelitor. “Nuk isha unë dhe besoj se ishte Eloni”, u shpreh ai, duke ia atribuar nismën miliarderit.

Nga ana e tij, Musk kishte lënë të kuptohej se përgjegjësia për çdo kufizim i takon qeverisë amerikane, pasi sistemi Starshield është në pronësi dhe nën kontrollin e saj.

“Sistemet Starshield janë në pronësi dhe kontrollohen nga qeveria amerikane. Çdo kufizim në gjerësinë e brezit ose në përdorim vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së”, shkroi Musk në një postim.

Javën e kaluar, autoritetet ukrainase raportuan probleme me lidhjen e sistemit satelitor, i cili luan një rol të rëndësishëm në komunikimet dhe operacionet ushtarake të vendit kundër forcave ruse.

Ukraina përdor Starshield, shërbimin satelitor të projektuar posaçërisht për nevoja ushtarake, për komunikimet në fushën e betejës, operacionet me dronë dhe goditjet në distanca të mesme kundër objektivave në territoret e kontrolluara nga Rusia. Sistemi përdoret gjithashtu për zbulimin dhe përgjimin e dronëve.

Paralelisht, Kievi mbështetet edhe te Starlink, shërbimi satelitor civil i operuar nga SpaceX, i cili është bërë një komponent i rëndësishëm i infrastrukturës së komunikimit ukrainas që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë në vitin 2022.

Çështja e aksesit në këto sisteme mbetet me rëndësi strategjike për Ukrainën, ndërsa raportimet për kufizime të mundshme ngrenë shqetësime mbi ndikimin që vendimet e kompanive private dhe autoriteteve amerikane mund të kenë në operacionet ushtarake të Kievit.

Top Channel