Mbrëmja e sotme në Champions League sjell në fushë Interin dhe Comon, me dy skuadrat italiane që synojnë rezultate pozitive, por përballen me sfida të ndryshme. Zikaltrit janë të detyruar të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit, ndërsa Como përgatitet për një përballje historike ndaj Manchester United.
Interi nuk ka më vend për gabime
Në orën 21:00, në “San Siro”, Interi pret Shakhtar Donetsk-un me objektivin e qartë për të marrë tri pikët. Skuadra e Cristian Chivut vjen pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të Champions League, përballë Real Madridit dhe Club Brugge, ndaj një tjetër rezultat negativ do ta vështirësonte ndjeshëm rrugën drejt kualifikimit.
Ndryshe nga paraqitjet në Europë, në kampionat zikaltrit kanë treguar vazhdimësi, por tani duhet ta transferojnë atë formë edhe në skenën ndërkombëtare.
“Jemi të vetëdijshëm se këtë sezon kemi humbur dy ndeshje. Duam të rikthejmë atë ndjesi dhe energji, në përputhje me ambiciet tona”, deklaroi Chivu në prag të takimit.
Trajneri rumun pranoi se skuadra duhet të përmirësohet, duke theksuar se pas humbjes ndaj Brugge kishte folur edhe për nevojën për të ndryshuar disa gjëra në qasjen e tij personale, jo vetëm në formacion.
Në portë pritet të luajë sërish Martinez, ndërsa Carlos Augusto mund të marrë vendin e Dimarcos në krah. Në sulm, Bonny pritet të formojë dyshen me Thuram. Shakhtari vjen në Milano pas fitores ndaj AEK-ut dhe do të synojë të përfitojë nga presioni që rëndon mbi vendasit.
Como përgatitet për një natë të madhe
Në orën 18:45, Como do të presë Manchester United në stadiumin “Sinigaglia”, në një ndeshje që për klubin dhe qytetin përfaqëson një ngjarje të veçantë. Pas fitores në shtëpi ndaj Leipzigut, skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas kërkon një tjetër rezultat të rëndësishëm, këtë herë kundër një prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian.
Megjithatë, Como duhet të përballojë mungesën e Diao, i cili pësoi një dëmtim muskulor në humbjen ndaj Feyenoordit në ndeshjen e kaluar.
“Është një ndeshje e madhe kundër një prej klubeve më të rëndësishme dhe më prestigjioze në histori. Besoj se do të jetë një mbrëmje e veçantë për qytetin, klubin, tifozët, lojtarët dhe stafin. Janë ndeshje që të bëjnë të ëndërrosh, por duhet të japim maksimumin për të fituar dhe për të marrë tri pikët”, u shpreh Fabregas.
Manchester United mbërrin në Itali në një moment të vështirë. Skuadra angleze humbi 0-2 ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e kaluar europiane dhe po kalon një periudhë problematike edhe në Premier League, ku ka regjistruar fillimin më të dobët të sezonit në rreth 40 vitet e fundit.
Megjithatë, emri dhe përvoja europiane e anglezëve i bëjnë ata një kundërshtar të rrezikshëm. United nuk ka humbur një ndeshje jashtë fushe në Champions League në Itali që prej disfatës 0-3 ndaj Milanit në vitin 2007.
Për Comon, kjo është një mundësi për të shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit, ndërsa për Interin fitorja është një domosdoshmëri për të mos komplikuar më tej aventurën europiane.

© SYRI.net
Alarm në PSG për Kvaratskhelian, frikë për këputjen e ligamentit të kryqëzuar
Reali kërkon të zgjasë serinë historike në Champions, Leipzig mbërrin në 'Bernabeu' i dërrmuar nga Bayerni
Supersfida Bayern-Arsenal, Kane kërkon të vazhdojë serinë, londinezët synojnë një tjetër suksesBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: