Bleu një kishë të braktisur për 40 mijë euro dhe e ktheu në shtëpinë e ëndrrave, dizajnerja amerikane : Ka vrima sa madhësia e një njeriu

21/10/2026 09:36

Një kishë e braktisur në Michigan të SHBA-së, e ndërtuar në vitin 1898, po merr një jetë të re falë një dizajnereje të brendshme 45-vjeçare, e cila vendosi ta shndërrojë ndërtesën historike në shtëpinë e ëndrrave të saj.

Whitney Anderson e bleu pronën për vetëm 45 mijë dollarë, duke nisur një projekt ambicioz restaurimi që për të përfaqëson realizimin e një ëndrre të fëmijërisë.

Anderson, e cila kishte jetuar për më shumë se 30 vjet në Nju Jork duke ndërtuar karrierën e saj, kishte kohë që kërkonte një kishë të përshtatshme për ta kthyer në banesë. Interesi për këtë ide nisi që në fëmijëri, kur shoqëronte gjyshërit në kishë dhe mahnitej nga arkitektura, dritaret me xhama të pikturuar dhe atmosfera e veçantë e këtyre ndërtesave.

Për të realizuar projektin, ajo kurseu për vite me radhë, duke mbledhur afro 250 mijë dollarë. Mundësia erdhi në pranverën e vitit 2024, kur në platformën Zillow pa një njoftim për shitjen e një prone të vjetër në Michigan, e cila përfshinte një kishë të braktisur dhe një shtëpi famullitare.

Fillimisht, prona ishte ofruar për 125 mijë dollarë, por pas negociatave, në qershor të vitit 2024, Anderson arriti ta blinte kishën për 45 mijë dollarë. Marrëveshja përfshinte ndërtesën e kishës, me një sipërfaqe prej rreth 325 metrash katrorë, rezidencën e bashkangjitur dhe një truall prej 930 metrash katrorë.

Përpara se të shndërrohej në shtëpi, kisha kishte nevojë për ndërhyrje të thella. Çatia ishte dëmtuar rëndë dhe kishte vrima të mëdha, ndërsa depërtimi i ujit kishte shkaktuar lagështi dhe përhapje të mykut në ambientet e brendshme. Gjendja ishte aq problematike, sa Andersonit iu desh të përdorte maskë mbrojtëse gjatë inspektimit të pronës.

Dy vjet pas nisjes së punimeve të restaurimit, ajo ka investuar rreth 194 mijë dollarë në projekt. Vlerësimet e saj janë që kostoja e përgjithshme të mos kalojë 400 mijë dollarë, ndërsa për të mbajtur shpenzimet nën kontroll, ajo po kryen vetë një pjesë të madhe të punimeve.

Pavarësisht përparimit, dizajnerja pranon se projekti mbetet një rrezik i madh financiar dhe se ende nuk ka garanci që investimi do të shpërblehet.

Projekti, të cilin Anderson e ka pagëzuar “Chouse”, një ndërthurje e fjalëve angleze church (kishë) dhe house (shtëpi), synon të ruajë sa më shumë karakterin origjinal të ndërtesës.

Punimet janë përqendruar fillimisht te riparimi i çatisë, izolimi nga uji dhe eliminimi i dëmtimeve të shkaktuara nga lagështia dhe myku. Paralelisht, ajo po punon për të ruajtur elementët historikë që i japin kishës identitetin e saj.

Dritaret origjinale me xhama të pikturuar, ndriçuesit e viteve 1940 dhe stolat prej druri janë ndër elementët që Anderson synon të integrojë në shtëpinë e re. Disa prej tyre do të ripërdoren për krijimin e mobilieve dhe të një biblioteke të madhe.

Për të, ky projekt nuk është thjesht një rinovim prone, por realizimi i një dëshire të hershme dhe një përpjekje për t’i dhënë jetë të re një ndërtese historike, pa fshirë gjurmët e së kaluarës.

Megjithëse rruga drejt përfundimit mbetet e gjatë dhe investimi nuk është pa rreziqe, Anderson po përpiqet të dëshmojë se edhe një kishë e braktisur, e dëmtuar nga koha, mund të shndërrohet në një banesë unike, ku historia dhe dizajni bashkëjetojnë.

Top Channel