Kërcënuan një person për t’i marrë një shumë parash, arerstohet 34-vjeçari në Fier, në kërkim bashkëpunëtori
Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Këmbimi”, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë 34-vjeçari Feliks Sika (Halili), ndërsa bashkëpunëtori i tij, 37-vjeçari R. M. (F.), është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, dy personat, të dy banues në Vlorë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, dyshohet se kanë kanosur një 28-vjeçar, rezident në Itali, për t’i dhënë një shumë parash që pretendonin se ua kishte borxh.
Për shlyerjen e borxhit, 28-vjeçari ka udhëzuar vëllanë e tij që t’i dorëzonte 34-vjeçarit dy automjete në Lushnjë. Në momentin e marrjes së automjeteve, Feliks Sika është kapur në flagrancë nga policia.
Gjatë kontrollit, 34-vjeçarit iu gjet një armë neuroparalizuese. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe arma.
Ndërkohë, policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e 37-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



