Lajmi i fundit

LIVE - Dita e 9-të e revoltës, studentët dhe pedagogët gati për protestën para Kryeministrisë

‘Të arrestuarit transferohen në rrethe’/ Kalaja: Gardianët e burgut të Fushë-Krujës, gati për të rrahur fëmijët në Tiranë

‘Të arrestuarit transferohen në rrethe’/ Kalaja: Gardianët e burgut të Fushë-Krujës, gati për të rrahur fëmijët në Tiranë

10:10, 21/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari dhe kreu i PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, denoncoi në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV vështirësitë me të cilat po përballen familjarët e protestuesve të arrestuar, të cilët nuk po arrijnë të mësojnë se ku ndodhen të afërmit e tyre.

Kalaja tha se ka marrë telefonata të shumta nga familjet, ndërsa pretendoi se të arrestuarit po transferohen nga Tirana drejt Beratit, Durrësit dhe qyteteve të tjera, pa pasur familjarët informacion të qartë për vendndodhjen dhe oraret e gjyqeve.

Ai i kërkoi Prokurorisë së Tiranës të hetojë edhe dhunën ndaj protestuesve, duke ngritur pyetjen se përse vëmendja e drejtësisë është përqendruar te arrestimet dhe masat e sigurisë ndaj të rinjve.

Denoncimin më të fortë, Kalaja e bëri për një informacion që tha se i ka ardhur nga gardianë të burgut të Fushë-Krujës, sipas të cilit atyre u është kërkuar të përgatiten për t'u nisur drejt Tiranës me pajisjet përkatëse.

Gazetari ngriti dyshime për përdorimin e punonjësve jashtë funksionit të tyre në menaxhimin e protestës.

“Prokuroria e Tiranës konkretisht ka marrë ndonjë masë për personat që rrahin fëmijët? Ka hapur ndonjë hetim?”, pyeti Kalaja, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë dhe duke akuzuar qeverinë Rama për mënyrën e trajtimit të protestuesve.

Pjesë nga intervista:

Janë me qindra të arrestuar, nuk ka më kapacitet Tirana, po i largojnë nëpër rrethe, i kemi parë dhe me fugona, është raportuar që i kanë çuar në Berat, Durrës, në qytete të tjera, dhe çdo ditë kam kontakte nga familjarët, për shkak se i kam ndjekur nëpër komisariate, spitale, gjykata e prokurori, dhe pyesin ku i kemi fëmijët, pra nuk kanë kontakte, nuk u kanë dhënë të drejtën e telefonatës.

Një grup i mirë i Partisë Demokratike po bëjnë maksimumin, janë ditë shumë të zëna, sepse kontaktet e njerëzve nga terreni që nuk dinë ku i kanë fëmijët, nga ana tjetër protesta që është dinamike, kemi arrestim mbi arrestimet, dhe duke e parë në këtë këndvështrim, unë mendoj që, në rast se do të vazhdojë në këtë lloj forme me këtë lloj intensiteti, Shqipëria nuk do të ketë më vende. I kanë shtrirë njerëzit përtokë, janë tortura çnjerëzore, por kam një pyetje që nuk e kam bërë akoma në media: si kjo prokurori nuk nisi një hetim për këta që ushtrojnë dhunën, se deri tani kemi parë vetëm kalamoj që shkojnë nëpër gjykata dhe marrin masa me arrest me burg, detyrim paraqitjeje, arrest shtëpie. Ndonjëherë, rrallë, dua t'i përshëndes prokurorin që i ka shpallur arrestimet të paligjshme, se ka një lloj fryme.

Prokuroria e Tiranës konkretisht ka marrë ndonjë masë për personat që rrahin kalamaj? Ka hapur ndonjë hetim për këta që hyjnë nëpër lokale, që bëjnë terrorizëm? Kanë mandat këta?

2.500 euro, kam përshtypjen që për një javë do të rritet 5.000 euro çmimi për të thyer kockat e kalamajve. Nëse do të mbahet mend Edi Rama për diçka, do të mbahet mend si njeriu që ka rrahur kalamajtë, nga njeriu që mahniste Parisin, nga njeriu që fuste ato lapsat në xhep dhe i mblidhte këta krerët e komuniteteve fetare si marioneta, do të mbahet mend që degradoi, që rreh kalamajtë tani. Por pyetja ime është për prokurorinë, jo për AMP-në, që janë ca drejtori që nuk funksionojnë fare.

Kam dhe një informacion tjetër që ma japin gardianët e burgut të Fushë-Krujës, që u kanë thënë atyre të bëhen gati për të ikur në Tiranë. Duan të nxjerrin gardianët e burgut për t'i çuar për të rrahur fëmijët në Tiranë, sepse nuk kanë njerëz. I pe që po i zinte gjumi kur i thirri kryeministri?

Nëse ky informacion është i vërtetë, po e marrim në thonjëza, me rezerva, se nuk dua të spekuloj, por të paktën informacionet që unë nxjerr, se jam gazetar me profesion, i kam bërë një gjysmë verifikimi këtij, dhe i kanë thënë të marrin dhe pajisjet me vete. Ke parasysh kur bëhet terror në burgje me pajisjet, dhe të vijnë të pajisur dhe të nisen drejt Tiranës, se burgu i Fushë-Krujës ka dhe një specifikë: tani ka rinovime dhe një pjesë nuk janë aty, kanë shkuar në transferim, dhe ata policë këta duan t'i përdorin si mercenarë. Nuk e dimë sa lekë do të japin, po ka një shqetësim shumë të madh nga këta gardianë burgu.

Po e bëj denoncimin për Syrin për herë të parë, po e them: ka një shqetësim, se këta nuk duan të marrin pjesë në protestë. Këta paguhen si policë burgu dhe më thonë: “Aulon, shikoje këtë moment, duhet ta verifikoni rastin. Ne i kemi informacionet, i kemi që ky po merr njerëz nga jashtë brenda, për të mbajtur nën kontroll protestën”. U bë rasti i tretë që kam takuar të moshuar që thonë: “Ju kemi folur policëve dhe nuk na kthejnë përgjigje, se na flasin anglisht”. Kjo është e vërtetë, ma kanë thënë tre të moshuar këtë muhabet, dhe duhet verifikuar rasti, ku i merr ky njerëzit. E dimë që paraardhësit e tyre kanë hyrë në Shqipëri me 30 mijë serbë e të tjerë. Historia po përsëritet. E kemi parë me atë gurin, atë e kanë bërë izraelitët, këto karriget i ka bërë Vuçiçi, pra ky është totalisht në plagjiaturë, është i shfokusuar. Sot kishte dalë me karrige, në një teatër absurd. I rreh natën kalamajtë dhe i fton ditën për të dialoguar. Ky ka dalë totalisht lakuriq.

Protesta nuk do të ndalet, është e jashtëzakonshme, ka ndodhur diçka e paimagjinueshme. Një pjesë e njerëzve nuk kanë qenë nëpër protesta, ky ka detyruar prindërit tani që të përballen jo vetëm me merakun: ku i kemi fëmijët, ku na i kanë arrestuar, a u ka thyer ndonjë këmbë apo dorë, duke gjetur avokatë, duke u interesuar në prokurori, sepse shkojnë te komisariati 4, e kanë çuar në paraburgim, nga aty merr vesh që e kanë çuar në Berat. Nuk merren vesh datat dhe oraret e gjyqeve, dhe këto halle i ka familja shqiptare tani, në vend që në Shqipëri të ishte debati sot, në Shqipëri, që e ka servirur ky zvarranik, është sa kalamaj do të rrahë dhe në cilin komisariat do t'i çojë kalamajtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco