Kontroll në burgun e Shkodrës, zbulohen celular dhe karikues
Një telefon celular në gjendje të ndezur dhe një karikues janë zbuluar gjatë një kontrolli për sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), kontrolli u krye në bashkëpunim me Sektorin e Policisë së burgut, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sendet e ndaluara i përkisnin të paraburgosurit me inicialet A. F. Për këtë rast, materialet procedurale do t’i përcillen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.
Sipas autoriteteve, i paraburgosuri dyshohet për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Hetimet pritet të vijojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si telefoni celular dhe karikuesi kanë përfunduar në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



