Një 34-vjeçar është arrestuar nga Policia në Fier, ndërsa bashkëpunëtori i tij, 37 vjeç, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë kanosur një 28-vjeçar për t’u dhënë një shumë parash që pretendonin se ua kishte borxh.
Sipas njoftimit të Policisë, të dy personat, banues në Vlorë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj 28-vjeçarit, i cili është rezident në Itali, për shlyerjen e borxhit.
Në këmbim të shumës së kërkuar, 28-vjeçari kishte udhëzuar vëllanë e tij që t’i dorëzonte 34-vjeçarit dy automjete në Lushnjë. Ky i fundit u kap në flagrancë nga policia teksa po merrte automjetet.
Gjatë kontrollit, 34-vjeçarit iu gjet një armë neuroparalizuese, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe dy automjetet.
Policia thotë se, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 37-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.












