AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Partia qeverisëse e Vuçiçit i shndërroi institucionet shtetërore në “makineri për sigurimin e votave”

Mbi 150 dëshmi zbulojnë se si punonjësit e sektorit publik vihen nën presion për të siguruar vota dhe për të marrë pjesë në tubime politike, ndërsa disa vende pune u jepen militantëve besnikë të partisë, të cilët gjatë orarit të punës angazhohen në call center-at e të partisë.

Radmilo MarkovicRadmilo MarkovicngaRadmilo Markovic
47 seconds më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 10 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
828074502 1110016701711497 6965065570747084145 n
Kreu i Partisë Progresive Serbe dhe kandidati për kryeministër, Aleksandar Vuçiç, gjatë një tubimi elektoral në prag të zgjedhjeve. Foto: Facebook/Aleksandar Vučić.

Punonjësit e shërbimit të kadastrës në një komunë të vogël në Serbinë provinciale mbetën të habitur. Muajin e kaluar, atyre iu kërkua të shkruanin emrat e tyre në një listë, duke u zotuar se do të votonin për Partinë Progresive Serbe në pushtet, SNS.

“Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë; të gjithë janë mosbesues, madje edhe kolegët më të moshuar, të cilët punojnë këtu që nga koha e Sllobodan Millosheviçit”, tha një punonjës që foli për BIRN me kusht që të ruhej anonimiteti.

Pavarësisht mosbesimit të tyre, të gjithë punonjësit e zyrës i shtuan emrat e tyre në listë.

“Të gjithë nënshkruam pa dëshirë, sepse hapi i radhës është që, si ndëshkim, të na transferojnë në qytete të tjera ku është e vështirë të shkosh”, tha punonjësi.

Punonjësit e Autoritetit Gjeodezik të Republikës (RGZ) – institucioni shtetëror përgjegjës për regjistrat e pasurive të paluajtshme, me mbi 2,000 punonjës – janë ndër të fundit që janë përballur me praktikën e kahershme të SNS-së për t’u kërkuar punonjësve të institucioneve shtetërore dhe të ndërmarrjeve publike (dhe nganjëherë edhe atyre private) të votojnë për partinë dhe të marrin pjesë në tubimet e saj elektorale.

Kjo praktikë arriti më në fund edhe te punonjësit e RGZ-së, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 25 tetor, por, sipas vëzhguesve, bëhet fjalë për një abuzim masiv dhe sistematik që vazhdon prej vitesh.

Që nga viti 2014, ODIHR-i, përgjegjës për monitorimin e zgjedhjeve, ka raportuar rregullisht mbi presionin ndaj votuesve që punojnë në sektorin publik. Raportet e Komisionit Evropian kanë evidentuar të njëjtin problem që nga viti 2017.

Një sondazh i opinionit publik, i realizuar në vitin 2022 nga organizata joqeveritare CRTA, me seli në Beograd, bazuar në një kampion përfaqësues prej 1,075 të anketuarish, zbuloi se 14 për qind e popullsisë së Serbisë ishte vënë nën presion për të votuar për një parti të caktuar.

BIRN foli me tetë punonjës të RGZ-së nga zona të ndryshme të Serbisë, të cilët raportuan se po vihen nën presion për të votuar për SNS-në dhe për të marrë pjesë në tubimet e partisë.

Ata thanë se presioni nisi pas emërimit të drejtorit të ri në detyrë, Dalibor Babiç, në gusht të këtij viti.

“Që nga ardhja e drejtorit të ri në detyrë, për herë të parë kanë filluar të na bëjnë presion për të nënshkruar listën. Meqë reagimi ishte shumë i dobët, sollën një ‘komisar’ partie për t’i ngacmuar njerëzit dhe për t’i detyruar të nënshkruanin”, tha një punonjës i RGZ-së.

I njëjti person tha për BIRN se punonjësit ishin detyruar të merrnin pjesë në një tubim elektoral të SNS-së në Beograd.

“Përpara tubimit në Arenën e Beogradit, nisi një fushatë për të na detyruar të regjistroheshim për të marrë pjesë. Edhe atëherë, pjesëmarrja ishte katastrofike – nuk erdhën as ata që kishin nënshkruar”, tha punonjësi, duke iu referuar një tubimi të SNS-së të mbajtur më 3 tetor.

Një punonjës i RGZ-së në një komunë tjetër i tha BIRN-it se i kishin kërkuar të merrte pjesë në tubimin e SNS-së në Novi Sad, i cili ishte parashikuar të mbahej në mesin e shtatorit 2026.

“Javën kur u njoftua tubimi në Novi Sad, na thanë se drejtori i ri i RGZ-së kishte kërkuar që njerëzit të shkonin atje për ta mbështetur. Me fjalë të tjera, duhej të shkonim në tubimin e SNS-së, por në të vërtetë kjo paraqitej si mbështetje për drejtorin e ri”, tha punonjësi. “Unë thjesht u thashë se nuk më interesonte asgjë nga këto dhe se nuk duhej të ma kërkonin më këtë.”

Ky punonjës tha se deri më tani nuk kishte pësuar asnjë pasojë.

“Deri tani, asgjë. Në fakt, kam filluar të pyes veten se sa herë do të mund t’u them jo”, tha punonjësi.

RGZ-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Nën presion

Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare këtë fundjavë, të cilat shumëkush i konsideron si më të rëndësishmet që nga zgjedhjet e vitit 2000, të cilat çuan në rënien e regjimit të liderit autoritar Sllobodan Millosheviç.

Partia Progresive Serbe po përballet me sfidën më të madhe që prej ardhjes së saj në pushtet në vitin 2012.

Zgjedhjet po mbahen pas dy vitesh protestash kundër qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pasi 16 persona humbën jetën më 1 nëntor 2024, kur u shemb një strehë prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, e cila ishte rinovuar së fundmi. Lëvizja studentore tashmë është shndërruar në forcën kryesore opozitare në këto zgjedhje, nën emrin Lista Studentore.

Që nga fillimi i protestave, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik është shtuar, si ndaj atyre që mbështetën studentët, ashtu edhe ndaj atyre që refuzuan të dëshmonin besnikërinë ndaj SNS-së duke marrë pjesë në tubimet e partisë.

Tani, në prag të zgjedhjeve, kërkesat po shtohen sërish. Rreth 180 persona iu përgjigjën një pyetësori të BIRN lidhur me presionin që punonjësit përjetojnë në vendet e tyre të punës. BIRN intervistoi më shumë se 20 prej të anketuarve, të cilët folën të gjithë me kusht që të ruhej anonimiteti i tyre. Të intervistuarit përfshinin persona që nuk kishin kryer kurrë asnjë detyrë për SNS-në, persona që e kishin bërë këtë nën presion, por që nuk dëshironin ta vazhdonin më, si dhe ish-anëtarë të SNS-së.

Dëshmitë e tyre përshkruajnë qartë mekanizmat e shumtë të detyrimit me të cilët përballen punonjësit në prag të zgjedhjeve.

Kërkesat janë të drejtpërdrejta: të zotohesh se do të votosh për SNS-në, të shtosh emrin në listën e votuesve të “sigurt” dhe të mbledhësh të ashtuquajturat vota “kapilare”, duke renditur emrat dhe të dhënat e kontaktit të personave që ke bindur gjithashtu të zotohen se do të votojnë për SNS-në. Zakonisht, këta persona janë miq, familjarë ose kolegë.

Përveç vetë listave, të cilat në fund i dorëzohen partisë, nuk ekzistojnë prova të shkruara për këto kërkesa. Nuk dërgohen as email-e dhe as mesazhe me tekst.

Në vend të kësaj, punonjësit thirren një nga një në zyrat e eprorëve ose të drejtuesve të departamenteve, ku u kërkohet të zotohen se do të votojnë për SNS-në, të marrin pjesë në një tubim ose të mbledhin 10 apo 20 vota kapilare.

Duhet të punosh për partinë, përndryshe…

Në një institucion shëndetësor në provincën serbe të Vojvodinës, formularët e shtypur për mbledhjen e votave kapilare për zgjedhjet e ardhshme të tetorit nisën të plotësoheshin që në muajin maj, ndonëse zgjedhjet u shpallën vetëm në shtator. Këtë ia bëri të ditur BIRN-it një punonjës i institucionit.

Në krye të njërës prej listave, të cilën BIRN arriti ta siguronte, figuron emri i një mjeku përgjegjës për mbledhjen e votave.

“Ai nuk do të ishte në postin e drejtorit nëse nuk do të siguronte vota kapilare. Ai thirri njerëzit që kishte punësuar. U kërkoi të ishin besnikë”, tha një punonjës.

Ata që kanë nënshkruar listën do të marrin disa telefonata nga SNS-ja, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve. Personat që hartojnë listat dhe mbledhin votat nuk mund të japin thjesht të dhënat e kujtdo, sepse çdo votë verifikohet.

“Pa e ditur që i kisha përfshirë në atë listë, anëtarët e familjes sime u thanë të shkonin në djall kur i telefonuan nga SNS-ja. Më pas, më telefonuan mua për të më pyetur pse personat në listën time kishin reaguar negativisht ndaj telefonatës së tyre”, shpjegoi një punonjës.

Punonjësi tha se fillimisht kishte pasur frikë, pasi i kishin thënë vazhdimisht se do ta pushonin nga puna nëse nuk përmbushte kërkesat e partisë, përfshirë pjesëmarrjen në tubimet e SNS-së.

“Më vonë e kuptova se nuk mund të më pushonin nga puna aq lehtë, ndaj ndalova së shkuari. Pastaj më thanë hapur: nuk do të përparosh më tej, do të mbetesh aty ku je. Kjo sepse nuk do të bëj asgjë për partinë, nuk do të shkoj në tubime dhe nuk sjell vota kapilare”, tha punonjësi.

Pamundësia për të përparuar në vendin e punës është vetëm një nga mekanizmat e presionit që përdoren për të ndëshkuar refuzimin për të punuar për partinë. Forma të tjera ndëshkimi përfshijnë uljen e pagës, transferimin në pozicione më të pafavorshme ose transferimin në vende pune të largëta, që e bëjnë të vështirë udhëtimin e përditshëm drejt punës.

Ndëshkime të tilla nuk u janë dhënë vetëm atyre që kanë refuzuar të punojnë për partinë, por edhe atyre që kanë shprehur mbështetje për protestat masive të vitit 2025 në llogaritë e tyre private në rrjetet sociale. BIRN ka raportuar më parë për numrin e madh të largimeve nga puna në sektorin publik dhe privat të personave që mbështetën protestat ose refuzuan të merrnin pjesë në tubimet e SNS-së.

Punonjësit që nuk kanë kontratë pune, por angazhohen përmes kontratave për punë të përkohshme ose rastësore, kontratave të shërbimit, apo punësohen përmes agjencive ose kooperativave rinore, përballen shpesh me një situatë ku u ofrohen përfitime në këmbim të bindjes, ndërsa refuzimi ndëshkohet. Angazhimi i tyre mund të zgjatet nëse punojnë për partinë, me premtime për punësim të përhershëm në të ardhmen. Nëse refuzojnë, rrezikojnë ndërprerjen e angazhimit.

“Ky është një abuzim me varësinë ekzistenciale dhe frikën. Është një abuzim klasik, një mekanizëm presioni që SNS-ja e kanë zhvilluar”, tha për BIRN- Brankica Jankoviç, ish-komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë, e cila e kishte mbajtur këtë detyrë për një kohë të gjatë.

“Ndonjëherë presioni ushtrohet në formën e këshillave ‘dashamirëse’ – ‘do të ishte mirë ta bëje këtë’ – herë të tjera është më i madh ose më pak i sofistikuar, por nganjëherë metodat janë mjaft brutale”, tha ajo.

Aktivistë të SNS-së me paga nga shteti

Ka shumë punonjës që nuk kanë nevojë të vihen nën presion, sepse janë punësuar posaçërisht për të punuar për SNS-në gjatë orarit zyrtar të punës.

Trembëdhjetë persona thanë për BIRN se në kompanitë ose institucionet ku punojnë, gjatë viteve të fundit janë punësuar shumë njerëz që punojnë për partinë dhe që as nuk paraqiten në vendin e tyre të punës.

“Ajo erdhi, u paraqit në kompani për një ditë e gjysmë dhe më pas u zhduk”, tha një person për BIRN. “Tani është në call center-in e SNS-së.”

Një person tjetër tha për BIRN: “Për shembull, kisha dy kolegë që nuk vinin fare në punë. Në praktikë, ata paraqiten, qëndrojnë deri në orën nëntë dhe më pas shkojnë në call center-in e SNS-së.”

Një person i tretë tregoi për një bisedë që kishte zhvilluar në vendin e punës: “Pyes menjëherë: ku janë të sapoardhurit? Ata qeshin dhe thonë: si ku janë, në call center.”

Këta tre persona të cituar janë të punësuar në tri institucione të ndryshme shtetërore.

Edhe pse disa prej këtyre të punësuarve nuk paraqiten në punë për muaj të tërë, ata marrin paga të rregullta dhe, përveç pagës, shpesh paguhen edhe për orët shtesë dhe marrin shpërblime shtesë.

“Këta njerëz nuk bëjnë orë shtesë. Kjo do të thotë se pagesat shtesë bëhen vetëm për të shpërblyer besnikërinë”, tha për BIRN një punonjës i sektorit shëndetësor.

Një nga detyrat që kryenin këta persona të punësuar në këtë mënyrë ishte qëndrimi në një kamp të ngritur nga mbështetësit e SNS-së në një park në qendër të Beogradit, midis godinës së presidencës dhe parlamentit. Kampi ishte pagëzuar me nofkën “Ćaciland”.

Punonjësit e ndërmarrjes publike të shërbimeve komunale të Beogradit, Infostan, ishin vizitorë të rregullt të kampit; disa prej tyre flinin madje edhe në çadrat e ngritura aty. Për pjesëmarrjen e tyre, ata merrnin para shtesë.

Infostan ka punësuar gjithashtu persona që nuk paraqiten fare në vendin e tyre zyrtar të punës, por punojnë për SNS-në, madje duke publikuar në rrjetet sociale fotografi të tyre në stendat e SNS-së gjatë orarit të punës.

“Që nga viti 2019 e deri më sot, pothuajse të gjithë punonjësit e rinj janë në një mënyrë ose në një tjetër aktivistë të SNS-së. Kjo është fjalë për fjalë një kusht për t’u punësuar”, tha një punonjës i Infostan-it.

Sipas tij, këta punonjës të rinj zakonisht nuk paraqiten në punë për muaj të tërë në fillim.

“Ne tashmë e dimë se ata do të paraqiten, do të njihemi me ta dhe më pas nuk do të vijnë këtu për muaj të tërë. Ose qëndrojnë te stendat, ose në call center-at. Pastaj, pasi të kenë bërë atë që u kërkohet, papritur marrin një kontratë dhe shfaqen në punë si punonjës të zakonshëm”, tha për BIRN punonjësi i Infostan-it.

Infostan nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Një punonjës i një kompanie të madhe në sektorin e energjisë tha se 15 vite më parë firma kishte të punësuar rreth 2,000 persona, ndërsa sot ka pothuajse 9,000 punonjës.

“Është një makineri e mirëfilltë për sigurimin e votave. Njerëzve të punësuar me kontrata me afat të caktuar u ofrohet një shpërblim: duhet të votojnë për SNS-në dhe të marrin pjesë me ta në fushatat zgjedhore”, shpjegoi ai.

Ai dhe një punonjës tjetër nga një kompani e ndryshme shtetërore e sektorit të energjisë konfirmuan se punonjës nga ky sektor kishin udhëtuar drejt qytetit Arandelovac, në Serbinë qendrore, për të punuar për SNS-në gjatë orarit të punës, në kuadër të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në qytet në mars të këtij viti.

“Nuk po flasim vetëm për ditën e zgjedhjeve, por për të gjithë fushatën. Ata shkonin derë më derë për të zhvilluar fushatën”, tha punonjësi, duke shtuar se ndërkohë këta aktivistë të partisë vazhdonin të merrnin paga sikur të punonin me orar të plotë.

Ky punonjës tha për BIRN se punësimi në bazë të përkatësisë partiake ekzistonte edhe përpara vitit 2012, kur SNS-ja erdhi në pushtet, por se atëherë përkatësia politike nuk kishte të njëjtën rëndësi.

“Nëse duhej të punësohej një zejtar, një saldator, nëse kishte vërtet nevojë që dikush të kryente një punë të caktuar, atëherë ai mund të votonte edhe për Radikalët (një parti ultranacionaliste). Njerëzit punësoheshin për punët që duheshin bërë dhe askush nuk vihej nën presion apo detyrohej të bënte diçka. Por këta njerëz (SNS-ja) nuk kanë punësuar as edhe një person të vetëm që të mos jetë dashur të bënte diçka edhe për ta”, tha punonjësi.

Ish-komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviç, tha se fenomeni i punësimit në bazë të përkatësisë partiake nuk kishte nisur me qeverinë aktuale, por se kjo e fundit “e ka çuar atë në përmasat e diskriminimit sistematik për shkak të bindjeve politike”.

“Ekziston një trajtim krejtësisht i ndryshëm për njerëzit që mbështesin partinë në pushtet dhe për ata që nuk janë aspak të interesuar për politikën. Ky është diskriminim, sepse të parët gëzojnë privilegje, ndërsa të dytët detyrohen të mbështesin partinë”, tha Jankoviç.

Ajo shtoi se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre në marrëdhëniet e punës. Ndërsa për disa nga militantët besnikë që favorizohen në punësimin në sektorin publik, Jankoviç tha: “Ata mendojnë se punëdhënësi i tyre është partia dhe këtë e kam dëgjuar pikërisht nga shumë prej tyre – thonë se partia është kompania e tyre”.

Në përgatitjen e këtij artikulli kontribuoi gjithashtu Tijana Uzelac.

Etiketa: Aleksandër VuçiçLista StudentorePartia Progresive Serbepunesime partiakeSerbizgjedhje
828074502 1110016701711497 6965065570747084145 n

Partia qeverisëse e Vuçiçit i shndërroi institucionet shtetërore në “makineri për sigurimin e votave”

10:29 | 21/10/2026
dsc 4485

Dhuna ndaj të miturve vë në pikëpyetje reagimin e policisë gjatë protestave 

08:01 | 21/10/2026
protesta e pedagogeve

Sindikata e Universiteteve shpall bojkotin e mësimit në mbështetje të protestave studentore

21:54 | 20/10/2026
stop hecet (c) qendra lumi

Banorët e Kelmendit dhe organizatat mjedisore padi HEC-eve në lumin e Cemit

15:51 | 20/10/2026
ndicozf 2026092314560411

Zjarri gjatë protestës dëmtoi dosjet, Gjykata e Lartë pezullon seancat

15:05 | 20/10/2026
balluku spak

SPAK i komunikon Ballukut akuzat përfundimtare për pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave

14:28 | 20/10/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.