Aktualitet

“Luksi i shfrenuar i Ballukut të ngjall neveri”, Shehaj: Vila në Palasë me paratë e shqiptarëve

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka rikthyer në vëmendje bisedat e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku lidhur me vilën e saj në Palasë, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e financimit të saj.

Duke iu referuar hetimeve të SPAK-ut, Shehaj pretendon se ndërtimi dhe mobilimi i vilës nuk janë financuar me paratë e Ballukut, por me fonde të personave që kanë përfituar nga tenderat e dhënë prej saj.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, bëhet fjalë për para që u përkasin qytetarëve shqiptarë dhe që duhej të ishin investuar në sektorë jetikë, si arsimi dhe shëndetësia, në vend që të përdoreshin për luksin e zyrtarëve të lartë.

“Neveri është ndjesia që provon çdo shqiptar që lexon luksin e shfrenuar të Belinda Ballukut”, shprehet Shehaj.

Ai thekson se, sipas pretendimeve të tij, të mbështetura në hetimet e SPAK-ut, vila në Palasë është financuar nga persona që kanë përfituar para përmes tenderave të lidhur me Ballukun.

“Me paratë që duhet të shkonin në arsim e shëndetësi, që Belinda të ndihet e llastuar”, deklaron Shehaj.

Në fund të reagimit, kreu i Partisë Mundësia i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se, sipas tij, periudha e pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë po shkon drejt fundit.

“Sot nuk ka më të paprekshëm, po u vjen fundi. Tani është radha e parave dhe vilave të Ramës”, përfundon Agron Shehaj.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.