Bota

Fshehu identitetin për të hyrë në garë, Isabel Allende fiton çmimin e madh prej 1 milion eurosh!

Shkrimtarja e njohur kiliano-amerikane Isabel Allende ka fituar çmimin letrar spanjoll Premio Planeta, me vlerë 1 milion euro, duke konkurruar nën një pseudonim. Autorja 84-vjeçare dorëzoi dorëshkrimin me emrin Luz Ventura, ndërsa romani fitues titullohet La hora antes del alba. Vepra e re rikthehet te personazhet e romanit të saj të famshëm Shtëpia e shpirtrave, botuar në vitin 1982 dhe sjell historinë e Alba-s, mbesës së Esteban Trueba-s dhe Clara del Valle-s. Ngjarjet përqendrohen te përpjekjet e saj për të rindërtuar jetën pas burgosjes dhe torturave gjatë diktaturës së Augusto Pinochet-it në Kili.

Pas marrjes së çmimit, Allende e krahasoi emocionin e fitores me atë të fitimit të çmimit Nobel. “Është si të fitosh Nobelin”, u shpreh ajo, duke shtuar se nuk kishte marrë pjesë më parë në konkurse letrare, pasi nuk dëshironte të përjetonte zhgënjimin e daljes në vendin e fundit. Autorja tregoi se prej vitesh lexuesit e pyesnin se çfarë kishte ndodhur me Albën, duke e shtyrë të rikthehej te historia e saj. Përmes romanit të ri, ajo synon t’i japë fund universit të Shtëpisë së shpirtrave.

Allende u largua nga Kili pas grushtit të shtetit të vitit 1973 dhe prej asaj kohe ka ndërtuar një karrierë të suksesshme ndërkombëtare. Librat e saj kanë shitur mbi 80 milionë kopje dhe janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Në edicionin e 75-të të çmimit Premio Planeta konkurruan 1,424 dorëshkrime, ndërsa shkrimtari spanjoll Sergio Hernández u rendit i dyti, duke fituar 200 mijë euro.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.