Në ditët e para të dhjetorit 1990, në Shqipërinë që po përgatitej të dilte nga diktatura komuniste 45- vjeçare, pritej krijimi i të parës forcë politike, rrjedhojë e Lëvizjes Studentore. Natyrshëm, mendohej se kjo parti, do të kishte në krye pikërisht një student. Edhe pse me diferencë moshe me të tjerët, kryetar i Komisionit Nismëtar të forcës së parë politike në vend pas 45 viteve monizëm, ishte Azem Hajdari. Vetëm kaq!
Brenda pak muajve, në krye të kësaj force politike, në pozicionet më të rëndësishme shtetformuese pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike me 22 mars 1992, zyrtarisht produkt i Lëvizjes Studentore, nuk erdhi asnjë student, as vetë Hajdari që kishte një moshë më të madhe se studentët e tjerë: President Sali Berisha, kryeministër Aleksandër Meksi, kryetar Kuvendi Pjetër Arbnori. Edhe qeveria e vendit, la jashtë saj studentët.
Iniciatorët dhe pjesëmarrësit më të spikatur të Lëvizjes Studentore, gati masivisht, morën rrugët e emigracionit, ku një pjesë e madhe, janë akoma. Disa të paktë, siguruan nga një karrige në parlament, për ta liruar pas disa viteve. Vazhdimësia e kësaj force politike deri më sot, roli dhe pozicioni real i studentëve brenda rradhëve të saj, tashmë është histori e re që njihet nga të gjithë.
Një parti që lindi nga revolta e studentëve në 1990- ën dhe realisht, nuk ishte asnjëherë parti e tyre, mbase është momenti të krijohet tani, rreth 36 vjet më pas, kur edhe dhjetori është në prag. Ideja është e Nikollë Lesit, një emër i njohur i respektuar i medias por edhe i politikës, për aq kohë sa ishte pjesë e saj.
Energjia e jashtëzakonshme e këtyre ditëve, duhet të kristalizohet dhe të kanalizohet. Kreditet e krijuara dhe që mund të krijohen, nuk ka arsye të çojnë “ujë votash” tek një subjekt tjetër aktualisht në tregun politik. Nëse hamendësohet se përveç energjisë ka edhe mbështetje popullore me votë, do të ishte mirë të provohej. Aq më shumë, kur këto 36 vite, po përjetojmë një tranzicion që është i gjithë provë, nga prova në provë.
Për te realizuar shkëputjen e munguar nga diktatura 54- vjeçare, kjo forcë politike që mund të lindë, mund të përjashtojë që në nisje ish- nomenklaturën komuniste dhe trashëgimtarët ideologjikë apo biologjikë, për të sjellë vërtetë një standard të ri në politikën shqiptare, i cili nuk u arrit dot në 1990 dhe mbase, është një nga të metat e mëdha, pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.
Ndërtimi i programit apo edhe i statutit, nuk është diçka e lehtë por edhe ju shumë e vështirë, përsa kohë do të jetën në duart e intelektualëve potencialë të sotëm apo të nesërm. E për emrin, alternativat mund të jenë të shumta por mbase duhet një “student” i përfshirë në të. Për shumë arsye, kryesorja: studentë do të ketë përherë në këtë vend dhe që mund të identifikohen në çdo kohë, etapë me të.
Ndoshta është pikërisht momenti, që studentët sot dhe nesër “të punojnë për vete”, për të sotme e sidomos të ardhmen, për t’ju imponuar pushtetit, edhe nëse nuk arrihet të merret menjëherë i vetëm, për të nisur një rrugëtimi, që edhe nëse është i gjatë, rezultatet mund të jenë më pozitive jo vetëm për studentët por edhe Shqipërinë e shqiptarët!




