Princi Harry ka shprehur dëshirën për të përmirësuar raportet me familjen e tij, pas vitesh përplasjesh dhe distancimi nga familja mbretërore britanike. Në një intervistë të fundit për revistën GQ, ai u shpreh se pajtimi me të afërmit është më i rëndësishëm se vazhdimi i konflikteve të së kaluarës. Marrëdhëniet e Harry-t me familjen u përkeqësuan ndjeshëm në vitin 2020, kur ai dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, u tërhoqën nga detyrat zyrtare mbretërore dhe u vendosën në Shtetet e Bashkuara. Që prej asaj kohe, deklaratat e tyre publike për institucionin mbretëror kanë nxitur polemika, ndërsa raporti i princit me të vëllanë, Princin William, ka mbetur i tensionuar.
Megjithatë, Harry duket se dëshiron të hapë një kapitull të ri. Ai pranoi se jo të gjithë mund të jenë të gatshëm për pajtim, por theksoi se vetë është i vendosur të bëjë përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet. “Me gjithçka tjetër që po ndodh në botë, gjëja më e rëndësishme është të pajtohemi”, u shpreh ai, duke shtuar se dëshira e tij është që kjo të jetë e mundur, edhe pse disa njerëz mund të mos e mbështesin një zgjidhje të tillë.
Duke folur për konfliktet familjare, princi pranoi se disa lëndime nuk zhduken lehtë, por nënvizoi se nuk ia vlen të vazhdohet të ushqehen përplasjet, kur në botë ekzistojnë shumë probleme të tjera që kërkojnë vëmendje. Në intervistë, Harry foli edhe për humbjen e nënës së tij, Princeshës Diana, e cila ndërroi jetë kur ai ishte vetëm 12 vjeç, si dhe për vështirësitë që ka përjetuar ndër vite me shëndetin mendor.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte lidhja e tij me Britaninë dhe dëshira për t’u ofruar fëmijëve një përvojë të ndryshme nga ajo që kanë pasur deri më tani. Ai tregoi se mundësia që ata të ndjekin shkollën në Britani ka marrë një rëndësi të veçantë për të. Harry u shpreh se fëmijët janë përshtatur mirë me shkollën dhe po e shijojnë këtë përvojë të re, e cila, sipas tij, po u ofron një perspektivë krejt tjetër.
Princi preku gjithashtu marrëdhënien e tij problematike me mediat britanike, një çështje që ka qenë ndër arsyet e përmendura prej tij për largimin nga jeta mbretërore dhe që ka çuar në disa procese gjyqësore kundër grupeve mediatike. Pavarësisht betejave të zhvilluara deri më tani, ai shpreson që raportet me shtypin të përmirësohen dhe që palët të mund të lënë pas përplasjet e vjetra. Harry theksoi se do të ishte në interesin e të gjithëve që e kaluara të mos vazhdonte të përcaktonte të ardhmen, duke shprehur dëshirën që ai, familja e tij dhe mediat britanike të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara. Përmes këtyre deklaratave, princi duket se po përcjell një mesazh të qartë: pavarësisht plagëve dhe mosmarrëveshjeve, ai dëshiron që pajtimi të mbetet një mundësi e hapur.