Paris Saint-Germain ka triumfuar 4-2 ndaj Barcelonës në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Parc des Princes”, në një prej sfidave më të rëndësishme të mbrëmjes së të martës në Ligën e Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique tregoi forcën e saj përballë katalanasve, duke dominuar në momente vendimtare të takimit dhe duke siguruar një fitore bindëse.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pranoi se kundërshtarët ishin superiorë, ndërsa theksoi se ekipi i tij duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e bëra.
“Ishte një provë e rëndësishme për ne, që na tregoi se ku duhet të përmirësohemi. Sigurisht, pati edhe elemente pozitive në lojën tonë. Mendoj se ishte një ndeshje shumë e bukur nga të dyja skuadrat, por ne bëmë gabime dhe humbëm topa në situata që duhet t’i analizojmë. PSG tregoi se ishte më e mirë se ne. Pësuam një humbje, por kjo ndeshje na dha edhe mësime të vlefshme”, u shpreh tekniku gjerman.
Flick u ndal gjithashtu te gjendja fizike e futbollistëve, duke pranuar se lodhja e grumbulluar gjatë javëve të fundit ndikoi në paraqitjen e skuadrës.
Sipas tij, Barcelona nuk kishte pasur kohën e nevojshme për rikuperim, veçanërisht pas udhëtimit nga Sevilla, ku kthimi i ekipit ishte shtyrë me një ditë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
“Kur nuk je në gjendjen më të mirë fizike, gabimet janë më të shpeshta. Nuk ishim mjaftueshëm të freskët. Patëm disa momente shumë të mira, por u përsëritën edhe problemet që pamë në Sevilla. Nuk kishim rikuperuar siç duhet. Nuk po e përdor këtë si justifikim, por si një shpjegim përse nuk arritëm të jepnim maksimumin”, deklaroi Flick.
Megjithatë, trajneri i Barcelonës nuk dëshiron që humbja ndaj kampionëve francezë të krijojë shqetësim të tepruar brenda skuadrës.
Ai kujtoi se sezoni është ende në fazat e para dhe se objektivat madhorë do të vendosen në muajt e ardhshëm.
“Trofetë nuk fitohen në tetor. Liga e Kampionëve vendoset në qershor”, përfundoi Flick, duke dhënë një mesazh qetësie dhe besimi për vazhdimësinë e sezonit.
