Kupa e re e Botës FIFA U15 do të startojë të enjten në Baku të Azerbajxhanit, ku do të marrin pjesë 189 ekipe kombëtare të të rinjve nga vende të ndryshme të botës. Krahas rikthimit të Rusisë në një turne global futbolli, interes të madh pritet të sjellin edhe përballjet e mundshme mes përfaqësueseve që kanë konflikte politike, mes tyre Kosova dhe Serbia.
Siç raporton mediumi gjerman “Sportschau”, kompeticioni po zhvillohet për herë të parë në këtë format dhe do të zgjasë nëntë ditë. Në program janë afro 1.000 ndeshje, të cilat do të luhen në 20 fusha. Fillimisht, ekipet do të ndahen në 32 grupe, ndërsa rezultatet e kësaj faze do të përcaktojnë sistemimin në gjashtë nivele të raundit të dytë, ku secili nivel do të nxjerrë fituesin e vet.
Të lidhura
None found
Prania e Rusisë mbetet një prej çështjeve kryesore të këtij turneu, pasi bëhet fjalë për pjesëmarrjen e saj të parë në një garë globale futbolli që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Federata Ukrainase e Futbollit i ka deklaruar “Sportschau” se e kishte braktisur turneun për arsye sportive përpara se të merrte vesh për përfshirjen e Rusisë. Sipas federatës, pasi u njoftuan për situatën, disa vende zgjodhën të tërhiqeshin, ndërsa të tjera pranuan të merrnin pjesë, por refuzuan të luanin kundër Rusisë.
Në këtë kompeticion nuk do të jetë as Gjermania, pasi Federata Gjermane e Futbollit (DFB) nuk do të dërgojë përfaqësuese. Për “Sportschau”, DFB ka shpjeguar se vendimi lidhet me mënyrën e zhvillimit të futbollistëve të rinj. Federata vlerëson se talentet nuk duhet të përballen në moshë shumë të hershme me presionin e rezultateve, ekspozimin publik dhe interesimin e agjentëve.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mundësisë që në këtë turne të përballen ekipe nga vende me marrëdhënie të tensionuara politike. “Sportschau” thekson se rregullorja e plotë e garës ende nuk është bërë publike, ndërsa FIFA ka sqaruar se çiftet e fazës pas grupeve do të përcaktohen nga rezultatet e raundit të parë dhe nuk do të ketë kufizime të posaçme për kundërshtarët.
Për këtë arsye, ekziston mundësia teorike që Kosova dhe Serbia të përballen me njëra-tjetrën. Të dyja përfaqësueset nuk lejohen të luajnë mes tyre në garat e UEFA-s, ndaj një ndeshje e tillë do të kishte ndjeshmëri të madhe politike dhe sportive. Megjithatë, deri tani nuk është përcaktuar asnjë duel mes tyre, transmeton Telegrafi.
Skenarë të ngjashëm mund të krijohen, sipas mediumit gjerman, edhe në rastin e ndeshjeve mes Izraelit dhe Palestinës, Iranit dhe Izraelit, si dhe Spanjës dhe Gjibraltarit. Gjithsesi, këto përballje mbeten vetëm mundësi teorike dhe varen nga rezultatet dhe rrugëtimi i ekipeve në turne.
Drejtori i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, e ka cilësuar këtë aktivitet si një mundësi për të afruar të rinjtë nga vende të ndryshme të botës.
“Kjo është bukuria e këtij turneu. Ishte një ëndërr të kishim të gjithë nga e gjithë bota së bashku. Në FIFA, ne gjithmonë themi se futbolli bashkon botën”, deklaroi Wenger në një video të publikuar nga organizata botërore e futbollit.
Idenë për përfshirjen e sa më shumë vendeve në kompeticionet ndërkombëtare e ka mbështetur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Duke folur për Rusinë në shkurt, ai ishte shprehur: “Sa më shpejt që të gjithë të përfshihen në një Kupë Bote, aq më mirë”.
Garat do të zhvillohen në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, shtet që prej vitesh ka marrëdhënie të tensionuara me Armeninë. Sipas “Sportschau”, organizatat për të drejtat e njeriut i kanë kritikuar vazhdimisht autoritetet e Azerbajxhanit, duke i akuzuar se përdorin ngjarjet e mëdha sportive për të rritur profilin ndërkombëtar të vendit.
Prandaj, përveç mundësisë që futbollistët e rinj të fitojnë përvojë në arenën ndërkombëtare, Kupa e Botës U15 pritet të jetë në qendër të vëmendjes edhe për shkak të përballjeve të mundshme mes përfaqësueseve me histori konfliktesh. Një ndeshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte padyshim ndër skenarët më të ndjeshëm të këtij turneu.







