Tammy Bruce, zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në OKB, ka thënë se paqja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm nga këto dy vende, e jo nga Këshilli i Sigurimit.

Në fjalën e saj në KS të OKB-së, ku po diskutohet raporti gjashtëmujor i shefit të UNMIK-ut, ajo tha se presidenti Donald Trump i admiron si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, dhe kërkon paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkan.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm thelbësore. Presidenti Trump i admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të ndërmarrin hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”, tha mes të tjerash Bruce.

“Përparimi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, deklaroi zëvendëspërfaqësuesja amerikane në OKB.

Bruce tha se Këshilli i Sigurimit duhet ta mbyllë misionin e UNMIK-ut, sepse Kosova e sotme nuk është ajo e vitit 1999.

“Ne vazhdojmë të mbajmë një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se ky mision ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës. KFOR-i, BE-ja, OSBE-ja dhe disa agjenci të tjera të OKB-së janë të pranishme dhe janë në një pozitë shumë më të mirë për të kryer atë punë të kufizuar që UNMIK-u vazhdon ta kryejë. Ajo që mbetet është një mision paqeruajtës me shumë staf, por pa paqeruajtës. Mbajtja e një misioni paqeruajtës pasi e ka kryer punën e vet nuk i ndihmon askujt, por i dëmton edhe më të cenueshmit. Paaftësia jonë për ta rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë serioze paralajmëruese e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së. Kjo tregon paaftësinë tonë për të vepruar kur momenti e kërkon një gjë të tillë. Mund ta mbajmë UNMIK-un ose mund të jemi kujdestarë të mirë të pasurisë së OKB-së, por nuk mund t’i bëjmë të dyja”, shtoi Tammy Bruce.

Sipas saj, koha e misionit UNMIK ka përfunduar, pasi gjërat janë shumë më ndryshe se 27 vite më parë.