Bota Celebrities

Pas më shumë se katër dekadash, Christiane Amanpour i jep lamtumirën CNN!

Një kapitull i rëndësishëm i gazetarisë ndërkombëtare pritet të mbyllet në qershor të vitit 2027, kur Christiane Amanpour të largohet nga CNN, pas plot 43 vitesh në këtë rrjet mediatik. Ishte vetë gazetarja ajo që ndau lajmin e largimit, duke e shoqëruar me një koment plot humor për marrëdhënien e saj me televizionin: “Lidhja jonë zgjati më shumë se shumë martesa”.

Amanpour nisi rrugëtimin e saj në CNN në vitin 1983 dhe, përgjatë dekadave, u kthye në një prej gazetareve më të njohura të skenës ndërkombëtare. Ajo raportoi drejtpërdrejt nga vende të përfshira në luftëra dhe kriza, ndërsa intervistat me liderë politikë dhe personalitete me ndikim i dhanë një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e ngjarjeve që kanë formësuar botën.

Profesionalizmi dhe përvoja në terren e bënë atë një nga figurat emblematike të CNN-it, veçanërisht në mbulimin e konflikteve të armatosura dhe zhvillimeve me rëndësi globale. Largimi i saj do të shënojë fundin e një bashkëpunimi që ka zgjatur më shumë se katër dekada. Përveç angazhimit në CNN, gazetarja ka qenë në krye të emisionit “Amanpour & Company”, të transmetuar nga televizioni publik amerikan PBS. Megjithatë, sipas raportimeve, ky program pritet të mbyllet që në dhjetor të vitit 2026, disa muaj përpara largimit të saj nga CNN.

Vendimi për t’i dhënë fund kësaj etape, sipas Amanpour, erdhi pas një periudhe reflektimi. Gazetarja ka shprehur dëshirën për t’iu përkushtuar projekteve të reja, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi planet e saj të ardhshme. Ajo ka sqaruar gjithashtu se nuk e ka lidhur vendimin me ndryshimet në pronësinë e kompanisë mëmë të CNN-it.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.