Bota

Të rinjtë e protestave krijojnë partinë e tyre, Meloni mobilizon 500 ushtarë dhe ashpërson ndëshkimet

Pas disa ditësh trazira në Milano, aty ku të rinjtë protestojnë për kushte më të mira arsimore, çka e ka shndërruar vendin në një kaos të vërtete, mësohet se qeveria italiane ka miratuar një dekret të ri në lidhje me sigurinë e vendit. Vendimi vjen pasi shumë biznese u dëmtuan gjatë tubimeve të dhunshme të të rinjve, raportojnë mediat e huaja.

Kryeministrja Giorgia Meloni bëri me dije  veprën e re penale të pjesëmarrjes së dhunshme në protesta, për çka tha se do të duhet që personat e përfshirë ta shlyejnë atë me dënime deri në pesë vite burg dhe gjoba deri në 20 mijë euro. Ndërsa bëhet me dije se masat do të jenë më të rënda kur protestuesit janë të maskuar plagosin persona të tjerë ose kryejnë akte vandalizmi në bashkëpunim.

“Ne nuk mund të lejojmë që të rinjtë të rriten duke menduar se thyerja e një vitrine është mënyrë për të fituar respekt”, deklaroi Meloni, duke theksuar se qeveria synon të parandalojë përsëritjen e skenave të dhunshme.

Po ashtu, Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, njoftoi se dekreti parashikon një vepër të veçantë penale për personat që organizojnë ose nxisin krijimin e grupeve për protesta të dhunshme, përfshirë përmes mjeteve informatike dhe internetit. Ai theksoi se për këtë vepër penale parashikohen dënime nga katër deri në 12 vite burg.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, njoftoi se prindërit mund të përballen me gjoba nga 500 deri në 1.000 euro në rastet kur të miturit e tyre përfshihen në vepra penale gjatë protestave.

“Parimi është i thjeshtë: kush shkatërron, paguan dhe, nëse është i mitur, paguajnë prindërit e tij”, deklaroi Meloni.

Në këto rrethana parashikohet, nxjerrja e menjëhershme në terren e 500 ushtarakëve në Milano deri më 31 dhjetor, me një kosto prej 4.7 milionë eurosh.

Pavarësisht masave të ashpra që po merren në sajë të tubimeve të dhunshme, në Itali mësohet se të rinjtë kanë krijuar organizatën poltike, të ashtuquajtur “Lëvizja 17 Tetori” (M1710).

Kjo lëvizje e cila ka filluar së fundmi aktivitetin e saj në rrjet, pretendon se ka luajtur rol në protestat që nxorën mijëra të rinj në rrugë më 17 tetor dhe në ditët pasuese, ndërsa synimi i saj është që të bashkojë të rinjtë dhe të nxisë përfshirjen e tyre politike, duke refuzuar modelet tradicionale të organizimit.

Pa kryetar, pa seli dhe pa anëtarësi formale, M1710 e konsideron mungesën e një strukture hierarkike si një zgjedhje të vetëdijshme politike. Sipas saj, lëvizja nuk duhet të kontrollohet nga një individ apo grup i caktuar. Edhe emri lidhet me këtë ide, 17 tetori është një datë që u përket të gjithëve dhe që nuk mund të drejtohet nga askush.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.