Lëvizja BASHKË i ka drejtuar një letër të hapur Komisionit Europian, përmes së cilës kërkon ushtrimin e presionit ndaj kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e tij dhe të qeverisë.
Në letrën me titull “Në Bashkimin Evropian pa Edi Ramën”, lëvizja ngre akuza për korrupsion, kapje të institucioneve, kontroll të mediave dhe dhunë policore, duke argumentuar se qeverisja aktuale po cenon demokracinë dhe stabilitetin shoqëror në vend.
Duke iu referuar protestave të muajve të fundit dhe përplasjeve të ditëve të fundit, ku janë përfshirë edhe studentë e gjimnazistë, Lëvizja BASHKË akuzon qeverinë për reagim represiv ndaj qytetarëve që kërkojnë ndryshime politike.
Sipas saj, dorëheqja e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij është kusht për nisjen e dialogut politik dhe shoqëror dhe për hapjen e një procesi të ri demokratizimi.
“Edi Rama e ka humbur legjitimitetin dhe kapacitetin për të qeverisur Shqipërinë. I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të ushtrojë trysninë e tij ndaj Edi Ramës që të tërhiqet nga strategjia e tensionit dhe të pranojë zërin e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që kërkon dorëheqjen e tij dhe të qeverisë. Çdo proces dialogu politik dhe shoqëror ka kuptim vetëm pas dorëheqjes së parevokueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”,- theksohet në letër ndër të tjera.













