Vendosni fjalën kyçe....

Zgjerimi i bilancit të BSH, sinjal i blerjeve të mëdha valutore edhe për këtë vit


Bilanci i Bankës së Shqipërisë po zgjerohet me ritme të shpejta në muajt e fundit dhe ka arritur vlerat më të larta historike.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve arriti vlerën e pothuajse 915 miliardë lekëve, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Vlera e aktiveve në bilanc u zgjerua me 3.7% krahasuar me korrikun dhe me 10.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në parim, zmadhimi i bilancit të Bankës Qendrore tregon një injektim më të madh të parasë në ekonomi.

Vlera e parasë në qarkullim (që paraqitet në bilancin e Bankës së Shqipërisë si detyrim), është në rritje vjetore me 15.2%. Megjithatë, zgjerimi i bilancit mund të ndikohet edhe nga ecuria e çmimit të tregut të aseteve, kryesisht të atyre në valutë të huaj.

Duke analizuar rritjen e bilancit sipas zërave kryesorë, efektin kryesor në zgjerimin vjetor të aktiveve e kanë dhënë letrat me vlerë të jorezidentëve.

Vlera e këtij portofoli arriti në afërsisht 624 miliardë lekë, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti  më parë.

Rritja e këtij zëri në mënyrë të tërthortë tregon se zgjerimi i bilancit është i lidhur në një masë të madhe me rritjen e vlerës së rezervës valutore që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit, të muajit gusht, rezerva valutore arriti vlerën më të lartë historike, në 8.16 miliardë euro, 18.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Banka Qendrore prej më shumë se një dekade po ndjek një politikë të shtimit e rezervave valutore, në funksion të nevojave të mundshme të ekonomisë dhe sektorit financiar. Rezerva është rritur me blerje të vazhdueshme dhe në rritje të valutës në tregun e brendshëm, nëpërmjet ankandeve të planifikuara.

Por, në tre vitet e fundit rolin kryesor në këtë drejtim e kanë dhënë blerjet e drejtpërdrejta të valutës, në funksion të frenimit të mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit. Rritja e blerjeve të valutës nënkupton injektime të reja në gjendjen e rezervës valutore dhe paralelisht shtim të injektimit të Lekut në ekonomi.

Në periudhën 2024-2025 Banka e Shqipërisë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Të dhënat e këtij viti janë të kufizuara në tremujorin, e parë, kur sërish blerjet e valutës shënuan një rekord historik për periudhën, në vlerën e 140 milionë eurove.

Zgjerimi i bilancit të Bankës Qendrore me ritme të larta është një tregues i tërthortë i blerjeve të sasive të mëdha të valutës edhe këtë vit. Presionet e tregut valutor mbi Euron këtë vit janë forcuar ndjeshëm. Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, rënia vjetore e kursit Euro-Lek është shpejtuar në 5.5%.

Monedha europiane po i afrohet tashmë kufirit të 90 lekëve dhe me siguri do të kishte rënë poshtë këtij kufiri, në mungesë të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.

Blerjet e valutës po i japin politikës monetare tipare stimuluese, duke rritur injektimin e parasë në ekonomi, ndërkohë që inflacioni ka kaluar objektivin ligjor prej 3%./Monitor