Policia e Vlorës ka arrestuar dy personat që dyshohen se vendosën tritol në automjetin e administratorit të Njësisë Administrative Shushicë, Igli Bimaj.
Autorët e dyshuar të moshave 41 dhe 43 vjeç të dy banues në Tiranë, sipas burimeve nga policia e kryen veprimin në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Ngjarja ndodhi më 19 tetor, rreth orës 02:50, në fshatin Llakatund ndërsa shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.
Ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Return”.
Identifikohen dhe arrestohen 2 prej autorëve të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2026, rreth orës 02:50, në fshatin Llakatund, ku u dëmtua me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetasit I. B., organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Return”.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve:
* Sh. M., 41 vjeç;
* E. S., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit I. B., 29 vjeç, banues në Shushicë, me detyrë administrator i njësisë administrative Shushicë.
Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Komente
Komento