Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat studentore dhe përplasjet me policinë. Në shkrimin e tij, të titulluar “Frakturat që la pas”, Muçollari akuzon kryeministrin Edi Rama për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe paralajmëron se dhuna ndaj studentëve dhe të rinjve do të lërë pasoja të thella sociale, duke dëmtuar besimin e qytetarëve te policia dhe institucionet shtetërore.
Muçollari shprehet gjithashtu se, sipas tij, Rama ndodhet në ditët e fundit të pushtetit.
Postimi i Muçollarit
Frakturat që la pas
Nuk ka dyshim se Edi Rama është në ditët e fundit të pushtetit. Është sidoqoftë një ikje e vonuar. Ai arriti ta mbante karrigen dhe ta ruante status quo-në me propagandë, me korrupsion, me lobing. Pas 13 vitesh u zgjua nga iluzioni i sundimtarit dhe kuptoi se njerëzit jo vetëm nuk e duan siç ai mendonte, por e urrejnë. Kjo e futi në një kurs totalisht irracional dhe lunatik. Qindra protestues kanë provuar në trup inatin e tij. Thyerje kockash, hematoma, asfiksi, trauma, heqje lirie, represion, përndjekje, gjithçka që skalionet e forcës kanë mundur të ushtrojnë mbi të rinjtë në Tiranë. Ai po luan me tezën e tokës së djegur: pas meje u bëftë qameti.
Po është një frakturë sociale që ka shkaktuar, e cila do ta mundojë këtë shoqëri për shumë gjatë. Armiqësia që ka mbjellë mes njerëzve dhe ushtrisë së tij në uniformë. Kur e gjitha të kalojë, dhe shpejt do të ndodhë, kur Edi Rama të mos jetë më sunduesi i urryer që vendos e jep urdhra, helmi që ka injektuar mes nesh do të vijojë të ndotë atmosferën. Paqja dhe kohezioni nuk do të arrihen lehtë. Studentët, gjimnazistët, të miturit, prindërit dhe të afërmit e tyre, pra shumica absolute e popullsisë, nuk do ta kenë të kollajtë të krijojnë një raport besimi me policinë, me shtetin. Sepse ishin ata, skafandrat, civilët, patronazhistët, që shkaktuan plagë të thella, represion e persekutim në pjesën më të madhe të rasteve, pa arsye, pa shkak, pa motiv, por vetëm e vetëm për të mbrojtur karrigen e Edi Ramës. Kjo është një lëngatë e thellë që do të kërkojë kohë të shërohet. Por një gjë është e sigurt. Kjo ndasi do të mbahet mend si një dhuratë që Edi Rama, më i korruptuari kryeministër në Europë, po ia lë Shqipërisë në ditët e fundit të pushtetit të stërzgjatur.
