Shkup, paga më e lartë mujore arrin në afro 190 mijë euro

Raporti i fundit i Drejtorisë për Të Ardhurat Publike (DAP) tregon se paga më e lartë në vend është regjistruar në Shkup, në sektorin e nxjerrjes së qymyrit të gurit. Bëhet fjalë për një pagë bruto mujore prej pak më pak se 190.000 euro, e cila në bazë vjetore i kalon 2,2 milionë euro dhe është rreth 2 për qind më e lartë krahasuar me pagën më të madhe të vitit paraprak.

Gjatë vitit 2025, të ardhurat më të mëdha të realizuara jashtë pagës i ka deklaruar një banor i Shkupit. Në harkun e një viti, ai ka arkëtuar pak më pak se 2 milionë euro bruto nga burime shtesë të të ardhurave.

Të lidhura

None found

Pesë pagat më të larta në Maqedoninë e Veriut janë dhënë në kryeqytet. Secila prej tyre ka kaluar shumën prej 2 milionë eurosh në vit, në vlerë bruto, ndërsa janë realizuar në sektorët e farmacive, tregtisë së duhanit, ushqimit dhe pijeve, spitaleve dhe tregtisë së produkteve farmaceutike. Në kategorinë e të ardhurave të mesme nga aktivitete shtesë janë evidentuar edhe tre të ardhura vjetore mbi një milion euro, si dhe një e ardhur prej 42 milionë denarësh.

Rekord është shënuar edhe te dividendët. Të ardhurat më të larta në këtë kategori i ka deklaruar një banor i Gjevgjelisë, i cili vitin e kaluar ka përfituar mbi 4 milionë euro, ndërsa pas tij renditet një banor i Ohrit me një shumë pothuajse të njëjtë.

Përgjatë vitit të kaluar, DAP ka përpunuar 863.100 deklarata vjetore tatimore, ose rreth 83.000 deklarata më shumë se në vitin 2024, që përbën një rritje prej 10,6 për qind. Të ardhurat bruto të evidentuara u rritën me 74,1 miliardë denarë, ose 13,8 për qind, ndërsa tatimi i përcaktuar mbi të ardhurat personale shënoi rritje prej 4,9 miliardë denarësh, përkatësisht 13,9 për qind. (INA)


Shtuar më 21.10.2026 12:52

Quantcast