Sport

Kimi “ftoh” shampanjën, mund ta hapë që në SHBA!

Kimi Antoneli është shumë pranë një arritjeje historike në Formula 1. Piloti italian mund të shpallet kampion bote që këtë fundjavë, në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, që zhvillohet në pistën e njohur “Circuit of the Americas” në Ostin.

Me gjashtë gara të mbetura deri në përfundim të sezonit, Antoneli ka krijuar një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve dhe tashmë mund ta sigurojë matematikisht titullin.

Antoneli kryeson renditjen e kampionatit me 340 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Xhorxh Rasëll, renditet i dyti me 238 pikë. Luis Hamilton mban vendin e tretë me 229 pikë. Diferenca mes italianit dhe Rasëllit është 102 pikë, ndërsa ndaj Hamiltonit shkon në 111 pikë. Deri në fund të sezonit janë ende në lojë 150 pikë, por pas garës në Ostin do të mbeten vetëm 125.

Për të siguruar titullin këtë fundjavë, Antoneli duhet të fitojë të paktën 23 pikë më shumë se Rasëll. Skenari më i drejtpërdrejtë kërkon që piloti italian të fitojë garën, ndërsa shoku i tij i skuadrës të përfundojë në vendin e nëntë ose më poshtë. Nëse këto kushte nuk plotësohen, vendimi për titullin do të shtyhet për Çmimin e Madh të Meksikës.

Shanset e Antonelit mund të rriten edhe më shumë nëse konfirmohen ndryshime në kalendarin e kampionatit. Sipas skenarëve të përmendur, anulimi i dy garave të fundit, në Katar dhe Abu Dhabi, do të reduktonte ndjeshëm pikët e mbetura në dispozicion. Në këtë rast, pas garës në Ostin do të mbeteshin vetëm 75 pikë për t’u fituar, çka do ta bënte të pamundur që Rasëll ta kapte Antonelin në renditje.

Një skenar tjetër parashikon zëvendësimin e Çmimit të Madh të Abu Dabit me garën në Imola. Edhe në këtë variant, llogaritë do të favorizonin italianin, pasi pas garës në Ostin do të mbeteshin 100 pikë në dispozicion. Kështu, gara në Ostin mund të shndërrohet në fundjavën vendimtare për Kimi Antonelin, i cili synon të kurorëzojë një sezon të jashtëzakonshëm me titullin kampion bote në Formula 1.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.