Sport

Bayern-Arsenal, spektakli i Champions League vjen sonte ekskluzivisht dhe falas në Top Channel!

Bavarezët kërkojnë fitoren përpara tifozëve të tyre, ndërsa londinezët synojnë të konfirmojnë formën e shkëlqyer në Evropë. Allianz Arena bëhet skena e një dueli mes dy prej skuadrave më të forta të kontinentit.

Champions League rikthehet me një përballje të madhe këtë të mërkurë, ku Bayern Munich pret Arsenalin në Allianz Arena, në Mynih. Sfida, e vlefshme për fazën e ligës, nis në orën 21:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht dhe falas në Top Channel, duke sjellë për shikuesit shqiptarë një tjetër mbrëmje të madhe futbolli. Bayerni vjen në këtë takim me synimin për të shfrytëzuar avantazhin e fushës dhe forcën e repartit ofensiv. Skuadra gjermane ka treguar se mund të jetë shkatërruese në sulm, por barazimi 3-3 në transfertë ndaj Viking ka ngritur pikëpyetje për qëndrueshmërinë e mbrojtjes.

Në krahun tjetër, Arsenali paraqitet me një bilanc perfekt në dy ndeshjet e para të Champions-it. Londinezët kanë marrë gjashtë pikë, duke fituar 1-0 ndaj Napolit dhe 3-0 kundër Lille, pa pësuar asnjë gol. Organizimi në prapavijë dhe aftësia për të shfrytëzuar situatat standarde mund të jenë armët kryesore të skuadrës angleze në Mynih. Përballja pritet të vendoset edhe në mesfushë, aty ku kontrolli i ritmit dhe presioni mund të përcaktojnë rrjedhën e lojës. Bayerni pritet të kërkojë hapësira përmes krahëve dhe sulmeve të shpejta, ndërsa Arsenali mund të bëhet i rrezikshëm në kundërsulm.

LEXO EDHE: Protestat rrezikojnë PSG-Barcelona? Reagon ministri i Brendshëm francez: Gjithçka do të vazhdojë normalisht…

Historiku evropian anon në favor të bavarezëve, por Arsenali ka treguar se mund të përballet denjësisht me gjigantët e kontinentit. Dy skuadrat kanë objektiva të qarta dhe një fitore në këtë fazë do të kishte rëndësi të veçantë për pozicionimin në renditje. A do të triumfojë eksperienca dhe forca sulmuese e Bayernit, apo organizimi i Arsenalit do t’i japë londinezëve një rezultat të madh në transfertë? Përgjigjja vjen sonte, në orën 21:00, ekskluzivisht dhe falas në Top Channel.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.