Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj protestuesve, duke paralajmëruar masa të forta ndaj personave që përfshihen në akte dhune gjatë tubimeve kundër qeverisë në Tiranë.
Kreu i qeverisë deklaroi se ata do të ndiqen “këmbë këmbës”, ndërsa paralajmëroi pasoja edhe për familjet e të miturve që shkaktojnë dëme gjatë protestave.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi se familjet e të miturve që dëmtojnë pronën e të tjerëve nuk do të marrin shërbime nga shteti, pa sqaruar se mbi çfarë baze ligjore do të mbështetej një masë e tillë.
“Do t’i ndjekim këmbë këmbës. Ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën në mendje, që të largohen nga ajo rrugë një orë e më parë.
Kushdo që ka një fëmijë të mitur duhet të kujdeset për të. Do t’ju vijë fatura në familje. Nuk do të marrë asnjë shërbim nga shteti familja e fëmijës që djeg pronën e tjetrit”, deklaroi Rama.












