Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sërish mediat tradicionale për nxitje të dhunës, në një kohë kur studentë dhe pedagogë po protestojnë në sheshin para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se është pro protestës paqësore, duke iu referuar modelit të vitit 2018, ndërsa kritikoi pjesëmarrjen e pedagogëve që sipas tij janë edhe aktivistë politikë të opozitës.
Rama tha se dialogu mbetet rruga për të gjetur zgjidhje, ashtu si ndodhi pas protestës paqësore të vitit 2018, nga e cila sipas tij qeveria nxori mësime. Ai shtoi se qeveria po punon për hapat e ardhshëm, sapo “histeria t’ia lërë vendin logjikës”.
Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të përballet me çdo kritikë të arsyeshme ndaj qeverisë, por jo me atë që vjen nga mediat që sipas tij nxisin dhunë pa u distancuar prej saj.
“Në Itali ka një emër për ata që bëjnë dhunë, vandalët e vegjël, ndërsa këtu janë heronjtë e lëvizjes”, tha Rama.
Rama pretendoi se autoritetet kanë pasur informacione për përpjekje për të provokuar një “21 Janar” të ri, duke testuar mbrojtjen e institucioneve, si dhe për një sulm të neutralizuar me dron ndaj Kryeministrisë.
“Kemi qenë të vetëdijshëm sepse kemi pasur informacione edhe për të provokuar një tjetër 21 Janar. Kemi neutralizuar një sulm me dron ndaj Kryeministrisë. Ka qenë një vijë e kuqe shumë e qartë për të gjithë”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur akuzave për dhunë disproporcionale të policisë, Rama tha se është e frikshme kur zëra që pretendojnë të përfaqësojnë shoqërinë civile akuzojnë Policinë e Shtetit, ndërsa sipas tij raporti i forcave policore në Francë është 1 me 2.5.
Ai shtoi se edhe protestuesit me kapuç “janë fëmijët e këtij vendi, të verbër dhe të manipuluar”.
Deklarata e kryeministrit vjen në një moment tensionesh, ndërsa protestat studentore dhe qytetare në Tiranë kanë hyrë në ditën e tyre të radhës, me kërkesën kryesore dorëheqjen e qeverisë.