Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias janë sulmuar fizikisht gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri ndërmjet datave 13 dhe 19 tetor, ku shumica e incidenteve përfshijnë efektivë të Policisë së Shtetit. Organizata ndërkombëtare Reporterët Pa Kufij (RSF) ka dënuar ashpër valën e dhunës dhe i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare për sanksionimin e përgjegjësve, zbatimin e masave mbrojtëse dhe llogaridhënie parlamentare.
Sipas të dhënave të dokumentuara nga RSF, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 28 raporte për dhunë,intimidim dhe pengim të detyrës, që prekin të paktën 23 profesionistë të medias. Në 10 raste është përdorur forcë e drejtpërdrejtë fizike—përfshirë goditje, shkelma, shtyrje dhe largim me forcë nga vendngjarja.Gjithashtu janë raportuar konfiskime ose dëmtime të pajisjeve, si dhe lëndime nga mjete të policisë për kontrollin e turmës.
Përveç dhunës në terren, RSF ngre shqetësimin për retorikën frikësuese nga niveli më i lartë shtetëror.Organizata veçon deklaratën e Kryeministrit Edi Rama më 18 tetor, i cili akuzoi pa prova pronarin e televizionit News24 për inskenim të revoltave studentore me qëllim rrëzimin e qeverisë.
“Edhe pse situata rreth protestave studentore është e tensionuar, gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, shtyrë, ndaluar apo penguar për të xhiruar”, deklaroi Pavol Szalai,Drejtor i Zyrës së RSF-së në Pragë.
Ai iu bëri thirrje autoriteteve të zbatojnë udhëzimet ekzistuese për sigurinë e gazetarëve dhe të ndëshkojnë çdo sjellje agresive nga policët apo protestuesit. Po ashtu, i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama të ndalojë frikësimin e medias. Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë sjelljen e dhunshme të policisë, ndërsa BE-ja të vlerësojë se si po zbatohen në praktikë zotimet e vendit kandidat për lirinë e medias.
Dhuna ndaj gazetarëve përfshin disa ngjarje të rënda të dokumentuara nga RSF dhe Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Një nga rastet më të rënda ndodhi më 13 tetor, ku Izmir Akulli, kryeredaktor i portalit Dosja.al, u dërgua në spital pas goditjeve me shkelma e grushte nga disa efektivë policie pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa po xhironte shoqërimin e një studenti. Dhuna vazhdoi edhe pasi ai u identifikua si gazetar.
Më 17 tetor, dy gazetarë të agjencisë ndërkombëtare Reuters u goditën nga plumbat e gomës gjatë përplasjeve në Tiranë. Në Durrës, fotoreporteri i lirë zviceran Raimond Lueppken u kërcënua nga persona civilë, të dyshuar si pjesë e grupeve me colete policie, për të fshirë pamjet e xhiruara.
Më 18 tetor, vetëm brenda kësaj dite, 8 punonjës të medias raportuan dhunë nga policia. Hameraldi Agolli,fotoreporter i AP, u ndalua me forcë nga policia gjatë punës, ndërsa Renaldo Salianji nga News24 u godit fizikisht nga efektivët. Taulant Kopliku raportoi se u godit në shpatull dhe iu konfiskua telefoni, i cili iu kthye me pamjet e fshira. Marshi Korreshi nga SYRI TV u godit pas shpine me kaskë ndërsa raportonte live pranë Komisariatit Nr. 3, ndërsa Elkier Bushkolaj nga po e njëjta media u plagos në këmbë nga një projektil gome i policisë. Gazetari Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani u goditën dhe u shtynë me kaska pranë Kryeministrisë. Gjithashtu, gazetarja e Klan News Glidona Daci u godit me gurë gjatë një incidenti të atribuuar efektivëve të policisë.
Më 19 tetor, policia pengoi gazetarin e News24 Osman Stafa dhe kolegët e tij të filmonin ndalimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës.
Sipas rrjetit SafeJournalists, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për shkeljet e mundshme dhe ka pezulluar shtatë efektivë, ndonëse mbetet e paqartë nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me rastet e gazetarëve. Më 14 tetor, përmes një letre të hapur të bashkënënshkruar nga RSF dhe organizata të shoqërisë civile, u kërkua zbatimi i plotë i Udhëzuesit për Sigurinë e Gazetarëve, i miratuar nga Policia e Shtetit në maj 2025, hetime të pavarura dhe një seancë dëgjimore në Kuvend. Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së për vitin 2026, Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve.