Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar lidhur me protestat e fundit që po zhvillohen në vend, duke kërkuar publikisht dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Salianji shprehet se qeveria po përballet me një pakënaqësi të gjerë nga thuajse të gjitha kategoritë shoqërore. Ai e akuzon kreun e qeverisë se po e çon vendin drejt përplasjes me qytetarët vetëm për të mbajtur pushtetin.
Salianji rendit një seri grupesh shoqërore që sipas tij po kundërshtojnë qeverisjen aktuale, duke përmendur studentët,pedagogët, gjimnazistët, mjekët, infermierët, mësuesit, fermerët, blegtorët, minatorët, naftëtarët, pensionistët, punëtorët,sipërmarrësit e vegjël, profesionistët e lirë, artistët, gazetarët dhe të rinjtë.
Gjithashtu, ai nënvizon se pakënaqësia ka prekur edhe punonjësit e policisë, duke ngritur akuza lidhur me mosshpërblimin e tyre me shumën prej 2,500 eurosh për të mbajtur në këmbë pushtetin.
Sipas Salianjit, kur një kryeministër kthen kundër vetes kaq shumë kategori shoqërore, problemi nuk qëndron te qytetarët që protestojnë, por te vetë kryeministri, mënyra se si ai qeveris dhe abuzimet e atribuuara qeverisjes së tij ndër vite.Salianji e përmbylli reagimin e tij duke theksuar se Shqipëria nuk është pronë e kryeministrit dhe se shteti nuk mund të shërbejë si mburojë e karriges së tij pushtetore.