Kryetari i PD, Sali Berisha, ka njoftuar se e shtuna do të jetë dita e protestës kombëtare të thirrur nga studentët, e cila do të mbështetet nga Partia Demokratike me të gjithë potencialin e saj.
Në një komunikim me strukturat e partisë, Berisha u ka kërkuar drejtuesve të degëve dhe anëtarëve të PD-së të angazhohen për të siguruar solidarizimin e gjimnazistëve dhe nxënësve në të gjithë vendin me grevën e studentëve, si dhe pjesëmarrje sa më masive në protestën e së shtunës.
“Është dita e protestës kombëtare, e thirrur nga studentët, që e mbështet me të gjithë fuqinë e vet Partia Demokratike. Suksesi i kësaj dite duhet të jetë dërrmues për Edi Ramën dhe narkoshtetin shqiptar”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se protesta është nismë e studentëve dhe të rinjve gjimnazistë, ndërsa PD do të jetë aktive në mbështetje të tyre. Sipas Berishës, një numër i madh anëtarësh të Forumit Rinor dhe të Partisë Demokratike janë angazhuar që nga fillimi i protestës.
Kryetari i PD përshëndeti gjithashtu pedagogët që iu bashkuan protestës në mbështetje të studentëve, duke vlerësuar rolin e tyre në mbrojtjen e interesave të universiteteve dhe të rinjve.
Berisha e cilësoi protestën e së shtunës si një moment të rëndësishëm për t’iu përgjigjur, sipas tij, “terrorit të kuq të Edi Ramës”, duke bërë thirrje për një mobilizim masiv të qytetarëve.
“Tani është koha, dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë duhet të jenë pararojë e studentëve. Duhet të mbështesin studentët dhe duhet të ndahemi me këtë të keqe”, u shpreh ai.
Në komunikimin me strukturat e PD-së, Berisha kërkoi organizim në çdo degë dhe rezultate konkrete në mobilizimin e qytetarëve për protestën e fundjavës. Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët e protestës se janë përpjekur ta minojnë dhe manipulojnë atë, duke theksuar se Partia Demokratike do të vijojë ta mbrojë lëvizjen studentore.a.b





