Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Në protesta s’ka asnjë element Antifa, studentët janë fëmijë emigrantësh



Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu Sali Berisha u shpreh se në protestat e këtyre ditëve nuk ka asnjë element të “Antifa-s”, ashtu siç thotë kryeministri Edi Rama.

“Ky sillet si një padrino. Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për ta paraqitur protestën si një Antifa, po s’ka asnjë element, zero. A i dëgjoni studentët, fëmijë emigrantësh të rritur pa njërin prind, të bërë burra, vajza të mëdha e të rritura pa njërin prind në shtëpi. Sepse ua ka përzënë ky me politikën e tij”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë gjatë deklaratës së tij para mediave, Berisha u shpreh se Departamenti i Arsimit në PD po bashkëpunon me pedagogët, të cilët janë ngritur në protestë.

“Partia Demokratike është e përcaktuar në mënyrë më të vendosur, një, mbështetje të plotë protestës studentore dhe gjimnazeve. Mbështetje të plotë dhe totale, qoftë me thirrje të saj, qoftë me pjesëmarrje të çdo anëtari dhe anëtareje të PD-së, është i thirrur, i kërkohet të marrë pjesë në protestë.

Dy, me mbrojtjen e studentëve të revoltuar, PD ka bërë dhe do bëjë gjithçka të mbrojë studentët nga një agresion barbar ndaj tyre. Unë dua të përshëndes deputetët, avokatët dhe drejtuesit e PD-së që kanë qenë së bashku me protestuesit dhe janë përleshur së bashku me ta me narko banditët e shtetit. Garantoj studentët, protestuesit se 24 mbi 24 orë do të kenë shërbim ligjor gratis, kudo që ndodhen”, tha Berisha.

Ai shtoi se PD do të marrë një sërë masash për mbështetje më efikase, përfshirë lobimin ndërkombëtar për revoltën studentore dhe bashkërendimin me Sindikatën e Pavarur.

“Departamenti i Arsimit u shndërrua në një mbështetje dhe bashkërendim të fuqishëm me pedagogët, me qindra pedagogët, të lidhur me Partinë Demokratike. Janë sot krahas të tjerëve në protestë”, u shpreh kreu i PD.

Sipas Berishës, kryeministrin e ka kapur frika se po i vjen dita e llogarisë dhe ka humbur logjikën duke lëshuar kërcënime ndaj protestuesve.

“Frikë e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikë, arsye dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë psikologjinë e tij, genet e tij prej xhelatësh.

Në mëngjes i fton për dialog. Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqia monetare e bankave do mund ta kthejë kundër protestës.

Sot ai kërcënoi protestuesit për blacklistime, për linçime, për heqje pasaportash udhëtimi, për bllokim të transportit publik. I nxjerr të gjitha nga arkiva e etërve të tij. Kërcënon se do u bëjë ngarkim zhdëmtimin.

Shikoni çfarë hipokrizie, çfarë pretendon ky? Ky njeri flet për dëme në një kohë kur ka ndërtuar me paratë e baballarëve të atyre që protestojnë sarajet me themele më të gjata se vila e Enverit”, tha Berisha.