Kryetari Bedri Hamza e ka njoftuar sot Kryesinë e PDK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë. Hamza tha se ky vendim i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi. Hamza pohoi se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale. Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.