Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka denoncuar dhunën e pretenduar policore ndaj të rinjve që protestojnë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të saj dhe hetimin e çdo rasti të raportuar.
Në deklaratën për media nga selia blu, Balliu ngre shqetësime për përdorimin e shkopinjve dhe plumbave të gomës, keqtrajtimin e pretenduar në komisariate dhe ndalimet që i cilëson arbitrare.
Balliu kërkon që përgjegjësit për dhunën të identifikohen dhe të hetohen, duke bërë përgjegjës politikisht Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe Taulant Ballën për mënyrën se si po trajtohen protestuesit.
Deklarata e deputetit të PD, Kevis Balliu:
Të nderuar qytetarë,
Dhuna e rëndë e ushtruar nga Policia e Shtetit gjatë këtyre ditëve të protestës ka nxjerrë në pah pasojat e rënda të politizimit dhe degradimit të këtij institucioni. Në vend që të mbrojë qytetarët dhe të garantojë rendin kushtetues, policia po përdoret për të ushtruar dhunë ndaj të rinjve që protestojnë dhe për të mbrojtur pushtetin politik.
Të rinj dhe të reja janë goditur brutalisht në rrugët e vendit me shkopinj gome dhe plumba gome, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre. Rasti i raportuar dje, kur një qytetar u plagos në zonën abdominale nga një plumb gome, është një kambanë alarmi për rrezikun që sjell përdorimi i dhunës nga uniformat e shtetit.
Po aq të rënda janë dëshmitë për dhunë ndaj qytetarëve brenda komisariateve, ku askush nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj keqtrajtimit, pavarësisht rrethanave të ndalimit.
Është e papranueshme që qytetarët të ndalohen arbitrarisht në rrugë, pa një bazë të qartë ligjore. Rasti i dy të rinjve të ndaluar në zonën e Tajvanit, sipas informacioneve të bëra publike, ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë e veprimeve policore, veçanërisht duke pasur parasysh se ata kishin dhënë një intervistë vetëm dy orë më parë.
Pyetja që sot kërkon përgjigje është e qartë: Kush i jep këto urdhra dhe kush mban përgjegjësi për dhunën?
Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas maskave dhe uniformave. Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla duhet të japin përgjigje publike për qëndrimet e tyre dhe për përgjegjësitë që lidhen me mënyrën se si po trajtohen protestuesit. Dyshimet për përgjegjësi në nivelet më të larta të pushtetit duhet të hetohen, dhe askush nuk mund të pretendojë se është mbi ligjin.
Një polici që përdor forcën kundër studentëve, ndërsa qytetarët kërkojnë llogaridhënie, rrezikon të shndërrohet në instrument të pushtetit. Çdo efektiv që shkel ligjin duhet të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi individuale. Uniforma nuk është imunitet për dhunën dhe urdhrat nuk mund të shërbejnë si justifikim për veprime të paligjshme.
Është turp dhe përmbysje e çdo standardi të drejtësisë që studentët që protestojnë të përfundojnë pas hekurave, ndërsa Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla të mos përballen me të njëjtin standard llogaridhënieje. Drejtësia nuk mund të jetë e ashpër me të rinjtë që protestojnë dhe e butë me pushtetarët. Çdo përgjegjësi penale duhet të përcaktohet nga organet e drejtësisë mbi bazën e provave dhe ligjit, pa mbrojtje politike dhe pa standarde të dyfishta.
Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj protestuesve, identifikimin e efektivëve përgjegjës, hetimin e pavarur të çdo rasti dhune dhe lirimin e çdo personi të ndaluar në mënyrë të paligjshme. Kërkojmë gjithashtu garantimin e së drejtës së studentëve dhe të çdo qytetari për të protestuar pa frikën e dhunës dhe të hakmarrjes.
Studentët nuk janë armiq të shtetit. Ata janë qytetarë që ushtrojnë të drejtat e tyre. Armiku i shtetit të së drejtës është çdo pushtet që përdor institucionet publike për të shtypur qytetarët dhe për t’iu shmangur llogaridhënies. Përgjegjësia politike për këtë situatë duhet kërkuar edhe në majën e pushtetit, dhe Edi Rama nuk mund t’i shmanget asaj.
Përgjegjësit duhet të identifikohen. Urdhrat duhet të hetohen. Dhuna duhet të ndalet.
Askush nuk është mbi ligjin!
© SYRI.net
Kundër Ramës, Muka: Të premten, në orën 10:00, studentët e mjekësisë dhe mjekët i bashkohen protestës
SYRI TV/ Rama sulmon protestuesit: Janë forca të errëta që destabilizojnë Shqipërinë
‘Triumfi përballë narkodiktaturës’/ Blushi: Dy vite nga rrëmbimi terrorist i Metës, ende asnjë autor dhe përgjegjës