Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin drejt Turqisë të Julide Yazici, 32-vjeçares turke të arrestuar në Shqipëri pasi rezultonte e shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale që lidhen me një organizatë terroriste.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, autoritetet turke e akuzojnë Yazicin për dhënie të ndihmës logjistike dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste. Ajo është dënuar në mungesë me katër vite burgim, ndërsa sipas të dhënave të bëra publike, i kanë mbetur për të vuajtur edhe tre vjet, pesë muaj e 22 ditë.
Yazici u arrestua në pikën kufitare të Rinasit, teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se ajo kërkohej nga Interpol Ankaraja. Dy muaj më parë, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj saj.
Çështja lidhet me pjesëmarrjen e dyshuar të 32-vjeçares në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara në Turqi disa vite më parë. Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll, në vitin 2016, janë gjetur materiale që lidhen me hetimin.
Megjithatë, gjatë procedurave gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka kundërshtuar kthimin në Turqi, duke deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimeve kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se ekstradimi do t’i rrezikonte jetën, qëndrim ky i mbështetur edhe nga avokatët e saj.
Sipas informacioneve të publikuara, 32-vjeçarja me profesion mësuese ka përfituar azil politik në Francë. Një burim pranë Interpol Ankarasë i ka thënë gazetares Hoxha se, rreth shtatë vite më parë, Yazici ishte studente dhe kishte marrë pjesë në protesta kundër qeverisë së Erdogan.
Vendimi për ekstradimin vjen pas disa muajsh procedurash në Shqipëri, gjatë të cilave janë paraqitur si akuzat e autoriteteve turke, ashtu edhe pretendimet e Yazicit për persekutim politik dhe rrezik për jetën në rast kthimi.

