Vendosni fjalën kyçe....

Rama si regjisor, takon të riun me aftësi të kufizuara


Ndërsa studentët protestojnë prej nëntë ditësh duke u përplasur ashpër me policinë, kryeministri Rama nuk ka humbur kohë por ka vënë në skenë teatrin në ekran.

Pas karrigeve që nxjerr vetë personalisht para kryeministrisë për të ftuar studentët në dialog, ftesë të cilën ata e kanë hedhur poshtë me forcë, sot ai takuar një person me aftësi të kufizuara, i cili sipas Ramës e ka takuar për qejf dhe pa asnjë interes.

“Përshëndetje zot Kryeministër Edi Rama. Jam një djalë 27 vjeç nga Shqipëria, person me aftësi të kufizuara dhe përdor karrocë me rrota. Kam  një dëshirë shumë të madhe nga zemra që një ditë të kem mundësinë t’ju takoj personalisht. Nuk ju shkruaj për ndonjë interes apo për të kërkuar diçka por thjesht do të ishte një kënaqësi dhe emocion i veçantë për mua të takoja kryeministrin e vendit tim. Ndonjëherë , një takim i shkurtër mund të ketë shumë kuptim për një njeri dhe për mua do të ishte një moment që do ta mbaja mend gjatë gjithë jetës. Do të kisha shumë dëshirë t’ju takoja tju përshëndesja nga afër dhe nëse do të ishte e mundur të bënim dhe një fotografi së bashku si kujtim nga ky takim. E di që keni shumë angazhime dhe përgjegjësi por shpresoj ta gjeni mundësinë për të më dhënë disa minuta nga koha juaj. Nuk kërkoj asgjë më shumë” thuhej në mesazhin e tij, të publikuar nga kreu i qeverisë.

“Një njeri që do të më takojë për qejf”, i tha kryeministri 27-vjeçarit, i cili iu përgjigj: “Disa nuk janë dakord, por unë…”. Rama nuk e la pa e lidhur bisedën me protestat: “Po tani, demokraci është kjo. Mjafton që të jetë me paqe dhe me buzëqeshje dhe jo me gurë e me zjarr. Do jemi në kontakt bashkë”, tha Rama.