Katër persona, përfshirë dy efektivë policie, mbetën të plagosur të mërkurën pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në hyrjen e një pallati në zonën e Kolonos, në qendër të Athinës. Në çantën ku dyshohet se ishte vendosur pajisja u gjetën edhe substanca që mendohet se ishin lëndë narkotike.
Sipas mediave greke, ngjarja u zbulua pasi administratori i ndërtesës njoftoi policinë për një çantë të dyshimtë të lënë pranë ashensorit, në katin përdhes. Dy efektivë që mbërritën në vendngjarje hapën çantën dhe konstatuan brenda saj substanca të dyshuara narkotike, peshore dhe pilula.
Pak më vonë, pajisja e improvizuar shpërtheu, ndërsa rrethanat e aktivizimit të saj mbeten ende të paqarta. Sipas raportimeve, ajo përmbante një detonator të lidhur me bateri dhe lëndë eksplozive të nivelit të ulët. Dyshimet paraprake janë se njëri prej policëve mund të ketë shtypur pa dashje një buton të detonatorit, duke shkaktuar shpërthimin.
Të plagosurit, mes tyre dy efektivët dhe administratori i pallatit, u dërguan në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Njëri prej policëve raportohet se ka pësuar lëndime më të rënda në sy dhe në dorë.
Në vendngjarje mbërritën gjithashtu forcat zjarrfikëse, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur origjinën e pajisjes shpërthyese dhe mënyrën se si ajo u aktivizua.

