Aktorja Monika Lubonja ka përcjellë një thirrje për artistët, duke i ftuar të bëhen pjesë e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Arteve në Publik, “ESCAPE 2”, që organizohet nga Qendra e Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit, pranë Bashkisë së Tiranës.
Thirrja vjen pak ditë pas skandalit seksual në të cilin u përfshi edhe emri i aktores .
Festivali synon të krijojë një hapësirë ku artistët të prezantojnë idetë dhe punët e tyre përpara publikut, duke e nxjerrë artin jashtë galerive dhe duke e bërë pjesë të jetës së përditshme të qytetit.
Tema e këtij edicioni është “ESCAPE”, e konceptuar si një arratisje nga rutina dhe një mundësi për të eksploruar forma të reja shprehjeje artistike, përtej kufijve të zakonshëm.
Sipas thirrjes, festivali do të organizojë një konkurs të hapur për artistët, ndërsa risia e këtij edicioni është përzgjedhja e tri veprave fituese, të cilat do të realizohen nga Qendra e Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit. Veprat do të vendosen në hapësira publike për një periudhë 12-mujore, duke u bërë pjesë e jetës së qytetit dhe përvojës artistike të komunitetit.

