Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka shprehur shqetësim për rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve dhe pengimin e tyre gjatë mbulimit të protestave kundër qeverisë në Shqipëri. Organizata u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë me shpejtësi incidentet dhe të garantojnë kushte të sigurta për ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Në reagimin e tij, OSBE thekson se liria e medias dhe e drejta e publikut për t’u informuar janë elemente thelbësore të një shoqërie demokratike. Sipas organizatës, gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara, edhe gjatë demonstratave dhe tubimeve publike.
Përfaqësuesi për Lirinë e Medias u ka kërkuar autoriteteve të hetojnë në mënyrë efektive të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia. OSBE nënvizon se identifikimi i përgjegjësive dhe llogaridhënia janë të rëndësishme për mbrojtjen e gazetarëve dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
Në deklaratë rikujtohet edhe Vendimi nr. 3/18 i Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, i cili riafirmon angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e punonjësve të medias dhe garantimin e llogaridhënies për sulmet ndaj tyre.
Për të parandaluar incidente të tjera gjatë protestave, OSBE u ka bërë thirrje strukturave ligjzbatuese që të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Sipas organizatës, policia duhet të lehtësojë raportimin e sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike.
Gazetarët kanë raportuar në kohë reale zhvillimet e protestave që kërkojnë largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë tyre janë raportuar edhe incidente që kanë ngritur shqetësime për sigurinë e reporterëve dhe lirinë e informimit.

