Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Dita e 9-të e protestës, studentët në shesh: Rama jepe dorëheqjen

Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim, 2 kallëzime për dhunën policore

Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim, 2 kallëzime për dhunën policore

19:28, 21/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka asistuar ligjërisht 432 protestues të shoqëruar që prej 13 tetorit, ndërsa 239 prej protestuesve të arrestuar janë liruar me vendim gjykate. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Marash Logu, bëri të ditur se deri tani janë depozituar edhe dy kallëzime penale për dhunën policore, ndërsa po mblidhen prova për katër kallëzime të tjera.

Sipas tij, vetëm gjatë ditës së sotme, avokatët e PD-së përfaqësuan 28 protestues, për të cilët gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm. Nga 432 protestuesit e asistuar që prej 13 tetorit, 184 janë liruar menjëherë, ndërsa 248 protestues të arrestuar janë përfaqësuar në gjykatë. Prej tyre, 239 janë liruar me vendim gjyqësor.

Logu paralajmëroi se PD-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për rastet kur është caktuar masë sigurimi, duke paraqitur ankime në Gjykatën e Apelit pas zbardhjes së vendimeve përkatëse.

Ai theksoi gjithashtu se për çdo rast të dhunës policore do të kërkohet përgjegjësi penale, duke bërë të ditur se përveç dy kallëzimeve të depozituara, po përgatiten edhe katër të tjera. “E drejta për të protestuar nuk është krim. Dhuna ndaj protestuesve nuk mund të mbetet pa përgjegjësi dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, deklaroi Marash Logu.

Deklarata e Marash Logut:

Të dashur qytetarë,

Partia Demokratike, përmes ekipit të saj ligjor, vijon të jetë në krah të studentëve dhe çdo qytetari që ushtron të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Sot, avokatët tanë përfaqësuan 28 protestues, për të cilët Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Që prej 13 tetorit, ekipi ynë ligjor u ka ofruar asistencë 432 protestuesve të shoqëruar, nga të cilët janë liruar menjëherë 184 protestues. Ndërsa ka përfaqësuar në gjykatë 248 protestues të arrestuar, nga të cilët janë liruar 239 protestues me vendim gjyqësor.

Për çdo rast kur është caktuar masë sigurimi, ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesim ankim në Gjykatën e Apelit, sapo të zbardhen vendimet përkatëse.

Po kështu, për çdo rast dhune policore do të kërkojmë përgjegjësi penale. Deri tani kemi depozituar dy kallëzime penale dhe po mbledhim prova për katër kallëzime të tjera.

Dua ta themi qartë: e drejta për të protestuar nuk është krim. Dhuna ndaj protestuesve nuk mund të mbetet pa përgjegjësi dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Ndërsa pushteti përpiqet t’i përballë qytetarët me frikë dhe presion, ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë me të gjitha mjetet ligjore, në çdo komisariat dhe në çdo sallë gjyqi.

Partia Demokratike është në gatishmëri të plotë deri në garantimin e të drejtave të çdo protestuesi, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë të kujtdo që shkel ligjin.

Me studentët, në mbrojtje të lirisë, të drejtave kushtetuese dhe Shqipërisë!

Faleminderit!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco