Politologu Adri Nurellari deklaron se studentët kanë humbur besimin te qeveria për shkak të premtimeve të pambajtura, duke sjellë në vëmendje Paktin për Universitetin, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama pas protestave studentore të viteve të kaluara.
Sipas Nurellarit, një pjesë e angazhimeve të marra në atë kohë nuk janë përmbushur, çka ka thelluar zhgënjimin e studentëve. Ai veçon premtimin për rritjen e financimit të arsimit në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa, sipas të dhënave që referoi, shpenzimet kanë mbetur në 2.6%.
“Studentët e hëngrën një herë karremin e dialogut me kryeministrin. U bënë shumë premtime, por ato nuk janë realizuar. Kjo është një krizë e madhe besimi”, u shpreh Nurellari.
Ai përmendi edhe angazhime të tjera që, sipas tij, nuk janë përmbushur, si rritja e peshës së votës së studentëve në vendimmarrjen universitare, rishikimi i çështjeve të plagjiaturës dhe titujve akademikë, funksionimi i kartës së studentit dhe ndërtimi i kampusit të premtuar.
Nurellari pretendon se, pavarësisht premtimit për rritjen e ndikimit të studentëve në vendimmarrje deri në 50%, pesha e votës së tyre ka mbetur në 10%. Ai shtoi se krijimi i bordeve universitare ka ndikuar edhe në peshën e vendimmarrjes së akademikëve.
Duke folur për gjendjen e përgjithshme ekonomike, politologu tha se Shqipëria përballet me probleme edhe në sektorë të tjerë. Ai iu referua shifrave që, sipas tij, tregojnë rënie në bujqësi me 2.5%, në industri me 3.7% dhe në eksporte me 7.2%.













