Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar për protestat në vend, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre.
Ajo i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të respektojë shtetin e së drejtës, të parandalojë përdorimin e tepruar të forcës policore dhe të luftojë korrupsionin.
Gjatë fjalë së saj, Slotkin u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të gjejnë një zgjidhje paqësore, ndërsa protestat studentore në Shqipëri janë përshkallëzuar pas pakënaqësive të akumuluara për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet në konvikte.
Reagimi i senatores amerikane Elissa Slotkin:
Gjatë ditëve të fundit, kam marrë një sërë telefonatash nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri, si dhe në vende të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e zgjedhur prej tij. Po ashtu, qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë.
Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.












