Kuvendi rikthehet në seancë plenare, studentët zhvendosin protestën para Parlamentit, vendosen barrierat metalike para godinës

Politikë | 10 minuta më parë

Teksa Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të enjte (22 tetor) në punimet parlamentare, studentët pritet të zhvendosin protestën e tyre përpara godinës së Parlamentit, ku në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare. Seanca e kësaj jave vjen pas anulimit të mbledhjes së kaluar, me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi, për shkak të protestave që përfshinë vendin. Ndërsa kanë mbetur rreth tri orë nga nisja e seancës, para Kuvendit ka nisur puna për vendosjen e gardhit metalik, me qëllim kufizimin e hyrjes së protestuesve në ambientet e Parlamentit.

Gazetarja Rugova Dunisha bëri me dije se Policia ka marrë masa për garantimin e mbarëvajtjes së seancës plenare dhe për të mbajtur protestuesit larg ambienteve ku do të zhvillohen punimet.

“Ka nisur puna për vendosjen e gardhit metalik para Kuvendit, me qëllim bllokimin e protestuesve për të hyrë në ambientet e Kuvendit. Policia do të marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e seancës plenare dhe mbajtjen larg të protestuesve nga seanca”, raportoi ajo.

Sipas gazetares, gjatë javëve të fundit janë regjistruar tentativa nga protestuesit për të depërtuar në ambientet e brendshme të Parlamentit, ndërsa gardhi metalik ka shërbyer për t’i mbajtur ata jashtë godinës. Seanca plenare e kësaj të enjteje përfshin 14 pika në rendin e ditës, mes të cilave katër interpelanca me tre ministra të kabinetit qeveritar, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Punimet do të nisin me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të 8 tetorit, e cila u anulua me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Më pas, deputetët do të shqyrtojnë interpelancën urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në vijim, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, do të përballet me dy interpelanca të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, do të jetë në interpelancë me deputetin Tedi Blushi. Pas interpelancave, Kuvendi do të vijojë me shqyrtimin e disa projektligjeve që lidhen me drejtësinë, bashkëpunimin ndërkufitar, shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale. Një nga çështjet kryesore të seancës pritet të jetë projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme