Protestat kundër qeverisë “Rama” vazhdojnë të mobilizojnë studentët dhe pedagogët, të cilët nga dje bojkotuan mësimin.Përpara Kryeministrisë protestuesit refuzuan sërish ftesën e Ramës për dialog, duke thyer karriget e vendosura nga kryeministri si simbol i kësaj ftese dhe duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e tij. Lëvizja pritet të zgjerohet, pasi protestës do t’i bashkohen nesër edhe mjekët dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë.
Sot në orën 9:00, ata do të protestojnë para parlamentit. Protestuesve në protestën e 9-të iu bashkuan dje edhe pedagogët, të cilët vendosën bojkotin e mësimit deri në largimin e Ramës. “Ju erdhi fundi”, “Jep dorëheqjen”, ishin thirrjet e tyre.
Të lidhura
None found
Sindikata e Universiteteve shpalli bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që janë ngritur në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Bojkoti nisi nga dje dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa pedagogët, sikurse ditën e djeshme, do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.
Pedagogët deklaruan se kjo lëvizje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së paprecedentë shtetërore të ushtruar ndaj fëmijëve të tyre. Sipas tyre, dhuna e përdorur nga policia nuk kishte ndodhur kurrë më parë, me efektivë që po thyejnë protokollet profesionale, duke kontaminuar të rinjtë me gaz dhe duke hyrë madje edhe nëpër lokale për të ushtruar dhunë arbitrare. Ata bënë thirrje që studentët të mos pranojnë të dialogojnë, ndërsa shtuan se çdo diskutim i gjerë mbi të ardhmen mund të bëhet vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit.






